Qytetarët e Kosovës mbi moshën 16-vjeçare, nga e mërkura, (6:00 mëngjes), do të kenë të drejtë qarkullimi vetëm një orë e gjysmë në ditë. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media.
Ai ka treguar se koha e daljes jashtë shtëpive do të përcaktohet në bazë të tre numrave të fundit të letërnjoftimeve.
‘’Mbrëmë u konfirmuan edhe 72 raste të reja. Këto ditë edhe pse shumica e qytetarëve kanë zbatuar rekomandimet, ditë e fundit pasi pamë daljen e madhe të qytetarëve për shkak të kohës së mirë kemi parë një mosrespektim të masave. Sot morëm vendimin për masa të reja për parandalimin e sëmundjes Covid. Qytetarë të nderuar fillimisht ju falënderoj për durimin. Duhet të mbajmë lakoren të sheshtë‘’, thotë Vitia.
‘’Këto masa që do të hyjnë të mërkurën në ora 6 të zbatohen në përpikëri. Organet gjegjëse do sigurohen për zbatimin e këtyre masave. Nëse bashkëpunojmë mund të sigurohemi që këto masa të qëndrojnë në fuqi për kohën më të vogël të mundshme. Një mase më e vogël e bindjes e ndonjërit prej nesh mund të rrezikojë virusin në tërësi. Sa më shumë i respektojmë do mund të kalojmë këtë periudhë. Sidomos ditët e para do të jenë të vështira. Presim një sprovë të vështirë. Nuk guxojmë të tolerojmë as lëshimet më të vogla’’
‘’Prej datës 15 prill 2020 në 06 të mëngjesit ndalohet qarkullimi i qytetarëve jashtë banesave’’
‘’Për personat mbi moshën 16 vjeçare lejohet qarkullimi për furnizim me ushqime për familje dhe pagesa bankare për jo më shumë se 1 orë e gjysmë”. ’
“Gjatë qarkullimit nuk lejohet shoqërim nga asnjë person fizik përveç në dy raste. Personat me aftësi të kufizuara dhe personat nën moshën 16 vjeç në prani të kujdestarit”, theksoi Vitia.
Në Kosovë aktualisht janë konfirmuar 362 persona të prekur me Covid-19. 59 janë shëruar derisa 8 persona kanë humbur jetën.