Asfalti që u bë “copë copë” në Malishevë ishte shtruar vitin e kaluar

Komuna e Malishevës ka njoftuar se shkaku i reshjeve të shumta të shiut dhe vërshimeve, rruga që lidhë fshatin Rud të Malishevës me fshatin Sferkë të Klinës, është dëmtuar rëndë dhe është tërësisht e pakalueshme.

rruga është këputur dhe asfalti është larguar në tërësi.

Madje, fotografitë kanë nisur të bëhen virale edhe në rrjetin social facebook, ku ka nisur tallja nga ana e qytetarëve.

Realizimi i këtij projekti, që lidhë Komunën e Klinës me Komunën e Malishevës me rrugë të asfaltuar, është financuar nga Ministria e Infrastrukturës, procedurat tenderuese janë udhëhequr nga Komuna e Malishevës.

Lajmi.net ka mësuar se Komuna e Malishevës  kishte lidhur kontratë në tetor 2019 me grupin e kompanive  “REA” SH.P.K & “Euroasphalt” Sh.p.k.

Vlera e kontratës ka qenë : 267.270 euro dhe projekti ka përfunduar në prill të vitit 2020.

Ahmet Morina, drejtor u Urbanizmit në KK të Malishevës tha për lajmi.net se rruga ka përfunduar së ndërtuari në vitin e kaluar. Ai tha se nuk bëhet fjalë për cilësi të dobëta, por për reshje të mëdha të shiut.

“Vërshimet edhe në Gjermani e Amerikë këpusin ura të mëdha. Nuk bëhet llaf për cilësi të dobët të punimeve.

Pozita gjeografike është e keqe në atë pjesë dhe rruga nuk ka mundur ta përballojë atë vërshim.

Ajo rrugë është në territorin e Klinës. Ne kemi paraticipu me një shumë të mjeteve dhe bashkë me ministrinë e kemi realizuar atë projekt. Në fakt është menaxhuar nga menaxheri i Ministrisë së Infrastrukturës në bashkëpunim me ne”, tha Morina

Drejtori Morina tha se do të formojnë një komision që në momentin kur të pushojnë të reshurat do të bëjnë vlerësimin e këtij dëmi dhe të gjitha pikave tjera të dëmtuara.

Kur ishte shpallur tenderi për këtë projekte, në garë kanë qenë 13 kompani, por më kontratë ishte shpërblyer grupi i kompanive më çmimin më të lirë i përgjegjshëm. Gjatësia e komplet projektit ka qenë rreth 4 km.