Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta po synon t’i mposhtë ekipet kundërshtare duke vendosur një aftësi të tij të veçantë, atë të shumë gjuhëve, shkruan “Daily Mail”.
Në fakt, Arteta kur ua jep instruksionet futbollistëve të tij gjatë ndeshjes nuk e përdor gjuhën angleze, por gjuhë të tjera për të hutuar kundërshtarët në këtë kohë kur duelet po zhvillohen pa tifozë dhe çdo këshillë po mund të dëgjohet. Arteta ka shpjeguar se gjatë ndeshjeve po i përdor gjuhën frënge dhe atë spanjolle për të ndryshuar taktikën e lojës gjatë ndeshjes, në mënyrë që futbollistët kundërshtarë dhe trajnerët të mos jenë në gjendje ta kuptojnë se çfarë po thotë.
Në fakt, skuadra e Artetas është e mbushur me lojtarë që flasin gjuhën spanjolle dhe frënge, ku përfituesit më të mëdhenj janë: Dani Ceballos, Nicolas Pepe, Alexandre Lacazette, Matteo Guendouzi, David Luiz e shumë të tjerë. Kështu që, tekniku i Arsenalit është plotësisht i bindur se përcjellja e mesazheve taktike gjatë ndeshjes në gjuhën amtare të një lojtari do të thotë se ai do ta kuptojë dhe zbatojë më shpejt. Në këtë mënyrë, Arteta beson se ekipi i tij do të mund ta ketë një përparësi ndaj kundërshtarit me këtë strategji, të cilën do ta përdorë deri në fund të këtij edicioni. Synimi i Artetas është që Arsenalit t’ia sigurojë një vend, që edicionin e ardhshëm i garanton pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.
“Ideja është që edhe lojtarët t’i kuptojnë më shpejt këshillat për t’i zbatuar, por edhe kundërshtarët që të mos i kuptojnë. Pra, kjo është arsyeja që gjatë ndeshjes më shumë jap këshilla në gjuhën spanjolle e frënge. Disa prej lojtarëve janë francezë, disa të tjerë spanjollë, por kemi edhe anglezë. Synimi është që vetëm ta ndihmoj ekipin ta përfundojë edicionin sa më lart në tabelë”, ka pranuar Arteta. “Në këtë kohë është e rëndësishme që kundërshtarët të mos e kuptojnë taktikën tonë. Po mundohem të shfrytëzoj çdo përparësi për ta ndihmuar ekipin këtë edicion”.
Në fakt, Arteta me lojtarët e tij flet edhe në gjuhën angleze. Por, 38-vjeçari ka thënë se në gjuhën angleze me të gjithë lojtarët e tij flet vetëm në stërvitje, zhveshtore dhe mbledhje që i mban klubi.