Arsim Bajrami: Vetëvendosje ka të drejtë, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë për zgjedhje

Profesori i Juridikut, një ndër hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami në një intervistë për emisionin N’Konak prodhim i gazetës inFokus ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për Avdullah Hotin si mandatar për kryeministër.

Bajrami ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë vendimi i duhur dhe ka bërë që partitë e Kosovës që ndalen së shkeluri kushtetutën.

“Duhet të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe cilido vendim i kësaj gjykate duhet të merret menjëherë në zbatim, nuk i lejohet askujt që të marrë asnjë veprim që nuk është në pajtueshmëri të plotë më vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ka qenë shumë akt pozitiv vendosja e masës së përkohshme sepse një masë e tillë ka parandalu devijimet kushtetuese apo gabimet apo thyerjet e mëtejshme të Kushtetutës dhe ju ka dhënë kohë partive politike qe të ulin gjakrat dhe të bëjnë një lloj abstenimi nga thyerja e Kushtetutës”, ka thënë ai.

Bajrami ka thënë që pret që Gjykata Kushtetuese të vendos për zgjedhje sepse sipas tij gjithmonë sovrani është ai që zgjedhë dhe gjithçka varet nga populli.

Çdo zgjidhje tjetër sipas tij, do ta fuste vendin në krizë.

“Unë pres që Gjykata ti japë një epilog kësaj pune. E kujtojmë rastin pothuajse të njëjtë të vitit 2014 për VLAN-in, por unë edhe atëherë isha i bindur se çfarëdo verdikti kundër vullnetit të popullit do ta fuste Kosovën në një krizë të thellë politike”, tha Profesori i Juridikut, Arsim Bajrami.