Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti), ka njoftuar se për herë të parë është arritur vlera e 3 miliardë eurove të mjeteve neto. Sipas Fondit, gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, mjetet nën menaxhim janë ngritur për mbi 300 milionë euro, krahasuar me fundvitin e 2023-s.
“Gjatë periudhës janar-gusht 2024 mjetet nën menaxhim u ngritën për më shumë se €300 milionë krahasuar me fundvitin 2023. Ngritja e këtij tetëmujori erdhi nga kontributet e reja (rreth €200 milionë) dhe kthimi nga investimet (rreth €165 milionë). Por njëkohësisht rreth €60 milionë u zbritën nga fondi për pagesat mujore të pensioneve dhe shpenzimet e tjera”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook të martën.
Fondi ka njoftuar se nga fillimi i operimit më 2002, miliardëshi i parë i mjeteve nën menaxhim është arritur në 2014-n, e miliardëshi i dytë në 2021-n.
“Vlerësuar në tërësi, mjetet që FKPK-ja i ka aktualisht nën menaxhim përbëhen prej pagesave të kursimeve pensionale nga kontribuuesit (rreth 78% ose €2.34 miliardë) dhe kthimi nga investimet (rreth 22% ose €660 milionë). Përveç mjeteve aktuale nën menaxhim, prej themelimit e deri më tani janë tërhequr edhe rreth €675 milionë nga përfituesit e FKPK-së (përfshirë këtu edhe rreth €200 milionë nga tërheqja e parakohshme për 10%-shin)”, thuhet tutje në njoftim.