Arrestohet sërish zyrtari policor që keqtrajtoi 18-vjeçarin Leotrim Rama – dërgohet në mbajtje për 48 orë

Dje është publikuar një video-incizim në të cilën shihet polici, Haris Kelmendi, duke i rënë shuplakë një 18-vjeçari, në stacionin policor.

Pas lajmit që bëri bujë në media, dhe reagimit të shoqërisë civile, Prokuroria ka lëshuar urdhër për arrestimin e Kelmendit.

Kjo u bë e ditur nga avokati i të dyshuarit, Naim Rudari.

Zyrtari policor është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të njëjtit i është urdhëruar ndalimi policor prej 48 orësh.

Siç thotë avokati, Kelmendi është i përfshirë dhe duke u hetuar edhe në një rast tjetër, për të cilin theksoi se nuk ka shumë informacione.

Ndërkaq, viktima e këtij rasti Leotrim Rama, ka dëshmuar në Policinë e Kosovës, se zyrtari policor, Haris Kelmendi ka ushtruar presion ndaj tij për ta ndryshuar deklaratën.

Haris Kelmendi u arrestua edhe me 28 janar nën dyshimin për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, por i njëjti u lirua më pas.

Në ndërkohë Leutrim Rama në një postim në “Facebook”, ka sqaruar edhe se si ka ndodhur rasti në 2018.

Ai ka thënë se në video-incizim shihet fundi i rrahjes që sipas tij kishte filluar dy orë më parë nga policët.

“Pra, siç shihet ne këtë video 10-15 sekondëshe keqtrajtimi, maltretimi, dhuna psikike dhe fizike këtu ka qenë fundi i rrahjes sime dy orësh nga te gjithë policët e ndërrimit të asaj nate”, ka shkruar ai në Facebook.

Në lidhje me rastin  ka reaguar edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj i cili ka thënë se dhuna policore është sinonim i shtetit të kapur dhe mungesës së demokracisë.

Ai këtë vepër të policit e quajti “Dhunë e shfrenuar barbare ndaj një të ndaluari në stacion të policis”.