Policia e Kosovës, ka njoftuar se një person nga komuna e Prishtinës është arrestuar nën dyshimet se e ka dhunuar një grua.
Sipas policisë, i dyshuari i është prezantuar viktimës rrejshëm si zyrtar policor.
“Hetuesit nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës, sot kanë arrestuar një person të dyshuar për veprën penale të dhunimit, të raportuar më datë 10.09.2022. Puna disa mujore e hetuesve policor ka rezultuar me identifikimin e personit të dyshuar dhe arrestimin e tij”, thuhet në njoftim.
“R.S, mashkull 38 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, dyshohet se veprën e dhunimit, ndaj ankueses (femër) e ka kryer, duke u prezantuar rrejshëm (si zyrtar policor)”, vijon njoftimi.
Me vendim të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, sipas policisë personi i dyshuar është dërguar në vuajtje të dënimit, pasi që ndaj tij kanë qenë 7 urdhëresa aktive nga Gjykata.