Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar për dhënie të ryshfetit.
Sipas njoftimit i dyshuari në kohën kur policët ishin duke i lëshuar një gjobë, ka hedhur 20 euro në veturën e Policisë.
Rasti ka ndodhur të hënën në fshatin Rakovinë në Gjakovë.
“Më datën 24 qershor 2024, zyrtarët policorë të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë, kanë ndalur një automjet, në një pikë kontrolli rutinë, në fshatin Rakovinë-Gjakovë. Gjatë procesit të lëshimit të një gjobe për një kundërvajtje, i dyshuari A. G., (shoferi i automjetit) në përpjekje të ndërhyjë në detyrat ligjore të zyrtarëve policorë, që të mos i shqiptonin gjobën, kishte hedhur një kartëmonedhë prej 20 eurosh në makinën e patrullës. I dyshuari u shoqërua menjëherë në stacionin policor, si dhe kartëmonedha prej 20 eurosh është sekuestruar si provë”, thuhet në njoftim.
Në konsultim me prokurorin e shtetit thuhet se është iniciuar rast “dhënia e ryshfetit”, ndërsa i dyshuari thuhet se është ndalur në mbajtje për 48 orë.