Të enjten në mbrëmje, pas pranimit të një informate përmes rrugëve zyrtare, se një zyrtar Doganor në Pikë Kalimin e Vermicës është duke e keqpërdorur detyrën zyrtare dhe njëkohësisht pranuar mito njësit e hetimeve të doganës kanë arrestuar këtë zyrtar.
“Zyrtarët e Hetimeve të Doganës së Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren, kanë arrestuar zyrtarin Doganor dhe e kanë dërguar në mbajtje për 48 orë. Bazuar në provat e gjetura dhe sipas urdhrit të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, është konstatuar dyshimi i arsyeshëm se zyrtari doganor në detyrë ka qenë i përfshirë në veprat penale marrje e mitos sipas nenit 428 dhe Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 422 te Kodit Penal te Kosovës” , ka njoftuar Dogana.
Dogana e Kosovës synon që në bashkëpunim me qytetarët të mbrojë interesin e shtetit, duke u pamundësuar kriminelëve që të përfitojnë nga taksat e qytetarëve. Andaj, mirëpresim bashkëpunimin me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe mënyra më e sigurte është që të na kontaktoni përmes telefonit 0800 500 95, facebook Dogana e Kosovës ose e-mail: info@dogana-ks.org. Me bashkëpunim efikas secili bëhet pjesë e luftës ndaj krimit. Duke mbrojtur të hyrat ne i krijojmë më shumë mundësi zhvillimit të vendit.