Autoritet e Belgjikës kanë arrestuar ish-pjesëtarin e UÇK-së, Pjetër Shalën, në zbatim të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Pjetër Shala do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë.
Dhomat e Specializuara të Kosovës përmes një komunikate kanë njoftuar se së shpejti do të publikojnë informacione për nxjerrjen e aktakuzës ndaj tij.
I njohur me nofkën “Komandant Ujku”, Shala kishte deklaruar në vitin 2019 se është intervistuar si i dyshuar nga hetuesit e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Gjatë luftës ka qenë i angazhuar në zonën e Dukagjinit si komandant në fshatin Dujakë.
Aktualisht në Gjykatën Speciale në Hagë janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi e ish-deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, ndaj të cilëve është konfirmuar aktakuza. Në Hagë janë edhe liderët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.