Moderatori i emisionit “Gjoni Black”, Meriton Mjekiqi, është arrestuar mbrëmjen e së martës në Prishtinë.
Ai është arrestuar për shkak të një konflikti, që ndodhi në lagjen “Arbëria (Dragodan)” të Prishtinës, shumë pranë Ambasadës Amerikane në Kosovë.
Lajmin për Telegrafin, e ka konfirmuar Bajram Krasniqi nga zyra për informim e Policisë së Kosovës.
“Në ora 22:20, policia është njoftuar për një rast, në të cilin janë përfshirë dy vetura, konkretisht drejtuesit e tyre. Rasti, sipas informatave fillestare, ka ndodhur si pasojë e mosmarrëveshjeve në trafik të drejtuesve të dy makinave. Rasti është duke u trajtuar në SP ‘Jugu’ në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Meriton Mjekiqi përveçse prezantues dhe autor i emisionit “Gjoni Black”, njihet edhe si menaxher i disa emrave të njohur të estradës, ndër ta edhe reperit Don Xhon.