Arrestohet Jakup Krasniqi, dërgohet në Hagë

Pas nëntë orësh bastisje nga Gjykata Speciale, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi është futur në veturën e policisë së EULEX-it.

Krasniqi pritet që të dërgohet për në Hagë, të paktën kështu ka bërë të ditur sot avokati i tij Valon Hasani i cili theksoi se aktakuza ndaj tij tashmë është konfirmuar.

Bastisja në shtëpinë e tij ka filluar qysh në 05:30, e po ashtu bastisje ka pasur edhe në shtëpinë e Krasniqit në Negroc të Drenasit.

Një bastisje e tillë është quajtur e panevojshme dhe traumatike për familjen Krasniqi.

Ndryshe, bastisjet në shtëpitë e Krasniqit i ka konfirmuar edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).