Policia ka arrestuar të dyshuari për plagosjen e trefishtë që ndodhi mbrëmjen e sotme në Pejë.
Këtë për KlanKosova.tv e ka konfirmuar Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Policia ka arritur të arrestojë një person të dyshuar lidhur me incidentin që ka ndodhur. Rasti mbetet ende nën hetim – për momentin kemi vetëm një të dyshuar i cili është arrestuar”, tha Gashi.
Kujtojmë se nga incidenti që ndodhi në afërsi të stacionit të autobusëve në Pejë kanë mbetur të lënduar tre persona.
Dy prej tyre janë në gjendje të rëndë dhe janë përcjellur për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa tjetri është duke u trajtuar në Spitalin e Pejës.