Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën tre persona të nacionalitetit serb të cilët dyshohen për “krime të luftës kundër popullatës civile” gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se tre të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”.
“Veprime këto të sanksionuara sipas, nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 153 të KPRK, në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët të 4 Konventave të Gjenevës, të datës 12 gusht 1949, të neneve 4 dhe 5 (1) të Protokollit 2 të datës 08 qershor 1977, shtojcë e Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të gjitha rregullat e ligjeve ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe kurdoherë e rëndësishme për vendimin e tanishëm ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftim.
Tre të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
E ashtuquajtura Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se i arrestuari në Zveçan, D.M., është ish-polic. Ndërkohë për të arrestuarin I.E. ka pretenduar se është në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Ata janë dërguar në drejtim të panjohur, në jug të Ibrit. Zyra për Kosovë ka ofruar menjëherë avokatë për serbët e arrestuar, të cilët po përpiqen ta mësojnë se ku janë dërguar, sepse familjet e tyre nuk kanë informacion të detajuar për më të dashurit e tyre”, thuhet në deklaratë.