Arrestohen pesë të dyshuar në Pejë, po planifikonin vrasje

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës (PSRK), mbrëmë më datë 21.02.2025, kanë realizuar operacionin policor për arrestimin e ‘Grupit të Organizuar Kriminal’ të cilët kishin planifikuar dhe ndërmarr veprime përgatitore për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje’ dhe ‘Shkaktimit të Rrezikut të Përgjithshëm’ ndaj dy viktimave në Pejë.

Në njoftim thuhet se operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e pesë persona të dyshuar: D.R., R.B., SH.K., F.Q., dhe D.M. të cilët me vendim të prokurorit nga PSRK janë ndaluar për 48 orë.

“Gjatë zhvillimit të operacionit policor është zbatuar urdhër-kontrolli që është kryer në gjashtë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të cilat do të përdoreshin për kryerjen e veprave penale si: granata dore, pushkë, revole dhe municion i kalibrave të ndryshëm”, thuhet në njoftim.

Përveç kësaj janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e lëndës narkotike, telefona celular si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.