Arrestimet e Speciales mund të sjellin protesta dhe tronditje në skenën politike

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, u arrestua sot me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, njoftoi të enjten se ka arrestuar Salih Mustafën, ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kështu duke u bërë personi i parë që arrestohet nga Gjykata Speciale.

Mirëpo, arrestimi i Mustafës dhe arrestimi i mundshëm i të tjerëve do të mund të sjellë protesta të veteranëve dhe do ta tronditë skenën politike në vend.

I pyetur nga lajmi.net, nëse do të ketë protesta të veteranëve për shkak të arrestimit të Mustafës dhe arrestimeve të tjera të mundshme, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve dhe Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj, ka thënë se nuk është thirrur ndonjë  mbledhje e veçantë për të diskutuar çështjen e mbajtjes apo jo të ndonjë proteste mirëpo, që sipas tij, do të diskutohet një gjë e tillë.

“Këto vendime merren në Këshillin Drejtues. Sepse në Kryesi ne kemi pas mbledhje, por tash do të shikohet edhe kjo. Edhe pse ne e dimë edhe gjendjen dhe situatën se si ka ardhur deri tash për shkak të dosjeve. Kështu që me siguri do të diskutohet edhe kjo. Por jo mbledhje e posaçme për këtë”, ka thënë Haradinaj për lajmi.net.

Ai po ashtu duke ironizuar ka kritikuar edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët e kanë votuar Gjykatën Speciale.

“Unë mendoj se duhet një herë parlamenti me thirr edhe me sqarua se çka ka bërë që i ka çua gishtat (votua). Ose të paktën me festua suksesin e tyre të gishtave (votave)”, u shpreh Haradinaj.

Në anën tjetër, politologu Ramush Tahiri, ka thënë për lajmi.net, se duke e ditur numrin e gjyqtarëve që ka deri më tani Gjykata Speciale dhe se secili prej tyre mund t’i ketë nga pesë apo gjashtë lëndë, logjikisht mund të jenë mbi 300 persona të akuzuar.

Sipas tij, duke u bazuar në rrethanat aktuale secili i akuzuar edhe mund të arrestohet dhe të dërgohet në Hagë, kjo për shkak të shpenzimeve por edhe për t’i ikur komunikimeve dhe kontakteve me dëshmitarët.

“Gjykata vendos a do të arrestohen apo do të mbrohen në liri me qenë në dispozicion. Unë mendoj se siç janë krijuar kushtet shumica dërmuese që do të akuzohen do të jenë edhe të arrestuar edhe do të dërgohen në Hagë edhe për shkak të shpenzimeve që me qenë në dispozicion për gjykatën por edhe mos me pas kontakt me dëshmitarët pasi që tash veç po dalin dosjet”, u shpreh Tahiri.

I pyetur nga lajmi.net, se a mund ta destabilizojnë skenën politike këto arrestime, Tahiri ka thënë se do të ketë tronditje në politikë, pasi që Gjykata Speciale merret me ish-eprorët e UÇK-së dhe ish-pjesëtarët e saj dhe siç u shpreh ai, ish-UÇK-ja është në pushtet.

“A e destabilizojnë situatën politike ose jo, unë mendoj se jo sepse puna e Gjykatës është e pavarur dhe gjykata pa paragjykuar, pa marrë parasysh që kemi thënë se është e njëanshme e të gjitha, gjykata gjykon në bazë veprave dhe argumenteve dhe nuk dënon të pafajshmit eventual dhe mbi këtë bazë a do të tronditet skena politike, do të tronditet sepse do të jenë figura të  larta që kanë qenë në pushtet ose që janë në pushtet, mirëpo gjykata merret me këtë profil të tyre. Sepse merret me ish-UÇK-në dhe ish-UÇK-ja sot është në pushtet të shtetit”, ka thënë Tahiri për lajmi.net.

Pas konfirmimit për arrestimin e Salih Mustafës, EULEX-i në një përgjigje më shkrim për lajmi.net, ka thënë se ky mision i ka dhënë përkrahje operacionale dhe logjistike Prokurorisë së Specializuar në bazë të mandatit të tij dhe në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

Ndryshe Salih Mustafa njihet si njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit. Në kohën kur Forcat e Sigurisë së Kosovës njiheshin si Trupa Mbrojtëse të Kosovës, Mustafa ka shërbyer atëbotë si shef i departamentit informativ.

Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, pas konfirmimit të aktakuzës, i dyshuari merr statusin e të akuzuarit dhe aktakuza i dorëzohet personalisht të akuzuarit. Paraqitja e parë e të akuzuarit në gjykatë bëhet brenda shtatë ditësh pas dorëzimit të aktakuzës. Aktakuza është në dispozicion të publikut vetëm kur ajo konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Pas seancës së parë, gjyqtari i procedurës paraprake konfirmon se çështja është e gatshme për gjykim, ndërsa kryetari i Dhomave të Specializuara formon një panel gjykues, përgjegjës për zhvillimin e procedurave gjyqësore. Ky panel kujdeset që gjyqi të jetë i drejtë dhe i shpejtë.

Dhomat e Specializuara edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar apo siç njihen në Kosovë edhe si Gjykata Speciale, u themeluan pesë vjet më parë nga Kuvendi i Kosovës për të hetuar krimet e pretenduara kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe vepra të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011. Deri më tani, Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim me qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Nën përgjegjësinë e Gjykatës Speciale është hetimi i krimeve të pretenduara kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011.