Brazili është tashmë përfaqësuesja e parë e Amerikës së Jugut që ka siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm. Përfaqësuesja e Argjentinës, që renditet e dyta në grup, po ashtu është afër këtij kualifikimi. Kushdo që mendon se ndeshja kualifikuese e së mërkurës nuk do të jetë vendimtare, atëherë ka bërë një gabim shumë të rëndë. Kjo ndeshje ndihet si krenari dhe Brazili përkundër kualifikimit në Botëror, do ta kërkojë fitoren ndaj Argjentinës në superklasiken e rajonit. Kampionia e Kupës së Amerikës, Argjentina, është e vendosur ta mposhtë Brazilin dhe t’i tregojë Lionel Messit se ai ka një mundësi të mirë vitin e ardhshëm për të fituar trofeun e vetëm që mungon në karrierën e tij.
Fitorja para turmës vendase mund të nënkuptojë gjithashtu – në pritje të rezultateve të tjera – sigurimin e kualifikimit për Katar 2022. Brazili po synon të përfundojë kampanjën më të mirë kualifikuese të Amerikës së Jugut në histori, megjithëse përzgjedhësi Tite ende pritet të vazhdojë të eksperimentojë me formacionin e tij para pjesëmarrjes në Kupën e Botës. Vetëm 25.000 tifozë në San Juan, veriperëndimi i Argjentinës, do të jenë në stadium për të parë skuadrat që luajnë njëndeshje të plotë për herë të parë në këtë edicion të kualifikimeve të Kupës së Botës. Takimi i parë u ndërpre pas shtatë minutash lojë në shtator nga autoritetet braziliane, të cilat zbatuan protokollet në fuqi për pandeminë COVID-19. Brazili kryeson kualifikimet e Amerikës së Jugut me 34 pikë, gjashtë më shumë se Argjentina. Të dy përfaqësueset kanë zhvilluar nga 12 ndeshje, një më pak se tetë skuadrat e tjera në këto kualifikime. Ekuadori mbetet i treti me 20 pikë, ndërsa Kili, Kolumbia dhe Uruguai kanë nga 16 pikë. Peruja është kthyer në garë me 14 pikë, dy më shumë se Paraguai e Bolivia, dhe shtatë më shumë se Venezuela. Katër skuadrat më të mira në Amerikën e Jugut fitojnë hyrjen e drejtpërdrejtë në Kupën e Botës “Katari 2022”. Skuadra e vendit të pestë shkon në plejofin ndërkontinental për një vend në Katar. Gjithashtu të martën, Bolivia do të presë Uruguain, ndërsa Venezuela do të luajë me Perunë. Një ditë më vonë, do të zhvillohet edhe duelet ndërmjet Kolumbisë me Paraguain dhe Perusë me Kilin. Argjentina mund të sigurojë një vend në Kupën e Botës në rast se mposht Brazilin, dhe nëse dy nga tre ekipet e tjera – Uruguai, Kili dhe Kolumbia – nuk arrijnë të fitojnë. Pjesa më e vështirë e natës së Argjentinës me siguri do të jetë fitorja ndaj Brazilit që nuk di për humbje në këto eliminatore. Prej 12 ndeshjeve të luajtura, Brazili ka 11 fitore e një barazim.
Messi është i kursyer për ndeshjen kundër Brazilit për shkak të një dëmtimi në gju që e ndaloi atë të luajë disa ndeshje për klubin e tij Paris Saint-Germain dhe gjithashtu për shumicën e fitores 1:0 të Argjentinës ndaj Uruguait të premten e kaluar. Derbi kundër Brazilit është gjithmonë një garë e madhe dhe mijëra tifozë në San Juan qëndruan në radhë të gjata deri në tre kilometra për të marrë biletat. Hotelet në rajon janë plot. Besimi është i lartë mes tifozëve për të parë një ekip që nuk ka humbur asnjë nga 26 ndeshjet e fundit. Brazili do të ketë gjithashtu mungesën e një lojtari kyç, me mesfushorin Casemiro të pezulluar pas fitores 1:0 ndaj Kolumbisë. Ai ka të ngjarë të zëvendësohet nga Fabinho. Trajneri Tite do të vazhdojë të bëjë ndryshime në formacionin e tij, ndoshta me Matheus Cunhan që do të luajë në sulm përpara Gabriel Jesusit. Eder Militao do të zërë gjithashtu vendin e Thiago Silvas në mbrojtje. Mbrojtësi i djathtë i Brazilit, Danilo, tha se skuadra duhet të vazhdojë të zhvillohet pavarësisht se tashmë ka siguruar kualifikimin direkt në Katar. Një objektiv tjetër për skuadrën, tha ai, është që gjatë këtyre kualifikimeve t’i tubojë 43 pikë, sa i pati edhe Argjentina kur u kualifikua në Kampionatin Botëror të vitit 2002.
“Kjo është ndeshjes mes Brazilir dhe Argjentinës. Ka çdo përbërës të një derbi global, të dy skuadrave me lojtarë të mëdhenj, aftësi të mahnitshme dhe shumë histori”, tha Danilo. “Objektivi ynë është të dalim në fushë dhe të fitojmë tri pikë të rëndësishme, pavarësisht kualifikimit në Botëror. Ne duhet ta fitojmë këtë derbi”.