Nënkryetari i AAK-së Ardian Gjini pohoi se gjatë kësaj jave është e mundshme që të votohet qeveria e re, pjese e së cilës pritet të jetë edhe kjo parti.
Këto komente ai i bëri në një intervistë në emisionin Rubikon. “Pres që këtë javë mund të ndodhë votimi në Kuvend. Mund të ndodhë edhe gjatë vikendit, s’ka pengesa ligjore sa i përket kësaj”.
Gjini gjithashtu diskutoi edhe për koalicionin e arritur në mes të LDK-së dhe AAK-së, lidhur me atë qe është dakorduar në mes të këtyre dy partive.
“Fillimisht, në takimet e para jemi dakorduar në parim për një koalicion zgjedhor dhe për zgjedhjen e rrugëve kushtetuese si dhe ruajtjen e partneritetit me SHBA-të. Natyrisht që AAK-ja ka edhe synimet e veta”.
“E dimë që është zor me e nisë Autostradën e Dukagjinit këtë vit për shkak të ndryshimeve buxhetore. Nuk ka qenë kusht për krijimin e koalicionit, por ka qenë kusht që të gjendet një rrugë qe kjo të ndodhë”.
“E dimë që pikat kufitare kanë zbrit nga Çakorri dhe Kulla. Ka elemente që ne besojmë që është e mundshme që këto dy pika me u kthy në Kullë edhe Çakorr dhe besoj që Mali i Zi do t’i kuptojë këto elemente”.
“Në bisedime nuk pranojmë të flasim për shkëmbim të territoreve në marrëveshje. Këtu kemi pasur dakordim, nuk duhet fare të bisedohet për ndryshim të kufijve”.
Nënkryetari i AAK-së gjithashtu komentoi situatën politike të krijuar në vend pas rrëzimit të Qeverisë Kurti dhe qëndrimin e Vetëvendosjes karshi saj.
“Pavarësisht qysh interpretohet në publik Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dashur të dërgojë mandatar të ri, ka refuzuar të dërgojë emrin dhe e ka shfrytëzuar një situatë kushtetuese që ka bërë që një qeveri e shkarkuar të mbetet në detyrë sa të dojë. Kjo nuk është situatë normale. Nuk mundet me ndodhë kështu, nuk është e logjikshme”.
“Pavarësisht çka thotë sot dikush, çereku i popullit ka votuar për Kurtin, tre çerekë tjetrë nuk kanë votuar për të”.
“Votat e qytetareve janë ne Kuvend. Kuvendi me 2/3 e ka shkarkuar një qeveri dhe kjo është gjendja”.