Kombëtarja e Shqipërisë ka vazhduar me përgatitjet intensive para ndeshjes së fundit dhe vendimtare të Grupit B të Kampionatit Evropian 2024 ndaj Spanjës.
Në një konferencë për media sot (e premte) u paraqit Arbër Hoxha i cili tha se është gjithmonë i gatshëm të jap maksimumin për kombëtaren dhe theksoi se ndaj Spanjës ekipi do të futet vetëm për fitore.
Evropiani i Arbër Hoxhës? – Aq sa kam minuta jam munduar të jap maksimumin për Kombëtaren. Në ndeshjen e dytë bëmë më mirë se në ndeshjen e parë. Me Kroacinë u futëm ndryshe në fushë, shënuam gol pastaj pësuam dy, por ne nuk u dorëzuam dhe realizuam sërish dhe barazuam. E kemi harruar ndeshjen me Kroacinë dhe jemi të fokusuar vetëm te Spanja. Besoj që do të arrijmë fitoren.
Ndeshja me Spanjën, sa gjasa kemi të fitojmë? – Duke marrë parasysh se kemi luajtur shumë mirë në ndeshjen e fundit me Kroacinë, besoj do të futemi në fushë për të fituar, sepse vetëm ai rezultat na kualifikon.
Pate impakt pozitiv sapo u fute në fushë ndaj Kroacisë – Tifozët në stadium janë shtysë e madhe dhe secili lojtar kishte motiv shtesë. Synimi ishte të ndihmoja shokët e ekipit. Arritëm të shënonim golin e dytë dhe patëm mundësi të shënonim edhe të tretin.
A mendoni se do të keni përballë skuadrën që luan futbollin më të bukur në botë? – Spanja është një nga ekipet më të mira të Europianit, ka luajtur shumë mirë në dy ndeshjet e para kundër Kroacisë dhe Italisë. Duhet të përgatitemi sa më mirë për këtë sfidë të rëndësishme.
Kush është lojtari më i mirë i Spanjës? – Janë shumë, një ndër më të mirët është Rodri, mund të përmend edhe Williams, anësor i majtë.
A je gati për një vend titullar ndaj Spanjës? – Sa i përket formacionit titullar e vendos trajneri, por sado minuta të marr, do të bëj maksimumin.
Çfarë duhet të bëjmë ndaj Spanjës për të marrë një rezultat pozitiv? – Duhet të futemi në fushë dhe të japim 100% maksimumin. Spanja është një ekipi që luan me topin dhe e posedon shumë mirë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të shfrytëzojmë rastet që do të krijojmë. Nga ndeshja në ndeshje ne jemi paraqitur më mirë. Besoj që në ndeshjen me Kroacinë kemi luajtur më mirë se me Italinë. Kemi sulmuar dhe krijuar më shumë.
E mendoje një rritje kaq të madhe në një periudhë të shkurtër?- Në janar jam transferuar te Dinamo dhe kam pasur progres nga dita në ditë, kam pasur rritje. Në mars erdha në Kombëtare dhe për mua ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme. Evropiani është qershia mbi tortë.
Rezultati kundër Spanjës? – Dua vetëm tre pikët, nuk ka rëndësi rezultati. Kroacinë e preferoj të kualifikohet para Italisë.