Arben Vitia për vdekjen e 26-vjeçarit: Po mendoj të jap dorëheqje

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, thotë se personalisht e ka menduar dorëheqjen, pas vdekjes së 26-vjeçarit në konvikte.

Vitia, me zëvendësin e tij, kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me vdekjen e një qytetari 26 vjeç, i cili ishte karantinuar më 2 maj në Qendrën e Studentëve, pasi kishte ardhur nga Gjermania.

Ministri thotë se akoma është duke e menduar dorëheqjen, por thotë se si ministër e ndien detyrë që të vazhdojë detyrat e tij.

“Si Arben Vitia qysh mbrëmë kur e kam marrë lajmin, kam menduar dorëheqjen. Edhe në momentin kur po flas, si Arben Vitia, po e mendoj një gjë të tillë. Por po flas si ministër i Shëndetësisë që kam përgjegjësi shumëdimensionale, e një nga dimensionet do të jetë zbardhja e këtij rasti”.

Ai ka bërë thirrje nga çdo institucion të kryejë hetime.

“Ne do të bëjmë thirrje të bëhen hetime nga drejtësia, por edhe hetim parlamentar”, theksoi Vitia.

“Nuk mundemi që si institucion sot nuk mund t’i lejojmë vetes të flasim për gjëra të pavërtetuara dhe të gjykojmë për asnjë element të rastit. Por, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria do të ushtrohen të gjitha përgjegjësisë institucionale, dhe do të zbardhet në detaje çdo gjë që lidhet me rastin, prej angazhimit të Ambasada e Kosovës në Berlin, pritjes e vizitës mjekësore në aeroport e deri te stafi administrues në Qendrën e Studentëve. I bëj thirrje prokurorisë së shtetit që të vendos në prioritetet e saja hetimin e plotë të rastit”, tha Vitia.