Arben Vitia ka zyrtarizuar dorëheqjen e tij nga posti i ministrit të Shëndetësisë.
Vitia në konferencën e thirrur për media, foli për punën që ka bërë gjatë kësaj kohe si ministër i Shëndetësisë, teksa njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga posti që ka mbajtur deri tani.
“Pata privilegjin t’i shërbejë popullit në kohë të vështirë. Më lejoni të ju njoftoj për vendimin që e kam marrë në dakordim me kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Unë sot po e përmbylli angazhimin tim në këtë detyrë, me të cilën më pat ngarkuar Kurti, ku jam mirënjohës ndaj tij”, deklaroi ai.
Ai tha se do të jetë kandidat i LVV-së për kryetar të Prishtinës, dhe se tashmë ka ekipin e tij.
Ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë do të jetë Dafina Gexha-Bunjaku.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor, ndërkaq deri tani Vitia nuk është përfshirë në fushatë zgjedhore.