Arben Gashi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se procesi i numërimit në Qendrat e Numërimit Komunal ka dështuar.
Me këtë rast, Gashi ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, rinumërimin e votave.
Ai deklaroi se po ashtu ka vërejtur edhe manipulime të votës së diasporës, transmeton Klankosova.tv
“Ky dështim ka dëmtuar gjithashtu rëndë besimin në vërtetësinë e rezultatit zgjedhor. Për hir të ruajtjes së besimit në procesin demokratik, KQZ duhet të vendosë për rinumërimin e të gjitha votave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë”, tha Gashi.
Sipas tij, një fenomen tjetër i vërejtur në këto zgjedhje është manipulimi masiv me votën e diasporës.
“Këto vota, siç po shihet, janë manipuluar sidomos brenda partive politike. Demokracia, ndër të tjera, është edhe besim në institucionet e zgjedhura. Vendi ka nevojë për institucione përfaqësuese dhe të besueshme”, theksoi ai.