Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me punën intensive për përfundimin e aktiviteteve që po zhvillohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ.
Aktualisht në QNR është duke u bërë rinumërimi i vendvotimeve për të cilat ka marrë vendim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si dhe të premten në mesnatë, sipas planifikimeve, është përmbyllur procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Deri më tani janë rinumëruar rreth 88% apo 487 vendvotime nga 552 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Po punohet maksimalisht që deri në përfundim të ditës së sotme të përmbyllim procesin e rinumërimit”, tha Elezi.
Po ashtu, shërbimi votues i KQZ-së të premten në mesnatë ka përmbyllur procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat kanë ardhur gjatë periudhës së votimit përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt.
Sipas të dhënave preliminare, janë aprovuar rreth 53 mijë e 600 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe.
“Këto janë vetëm të dhëna preliminare, sepse shërbimi votues është duke rishikuar bazën e të dhënave nga ku do të kemi të shifra e sakta dhe përfundimtare të numrit të fletëvotime nga jashtë vendit të cilat do të numërohen këtu në QNR”.
“Po punojmë shumë që nesër gjatë ditës të mund të fillojmë me numërimin e rreth 31 mijë e 500 votave me kusht dhe rreth 2 mijë e 800 votave të personave me nevoja të veçanta. Pastaj, edhe numërimin e votave të cilat kanë ardhur përmes postës”.