Apple do të skanojë iPhonet për imazhe të abuzimit seksual të fëmijëve

Kompania Apple është duke planifikuar që të instalojë një softuer në iPhonët e amerikanëve, i cili do të skanojë imazhe të abuzimit të fëmijëve.

Lajmin e ka bërë të ditur Financial Times të enjten, duke cituar një burim të afërt me këtë çështje.

Para se një imazh të ruhet në iCloud Photos, teknologjia do të kërkojë ndeshje të CSAM -it të njohur tashmë.

Apple ka bërë të ditur se versionet e reja të iOS dhe iPadOS – që do të dalin më vonë këtë vit – do të kenë “aplikacione të reja të kriptografisë për të ndihmuar në kufizimin e përhapjes së CSAM në internet”.

Sistemi funksionon duke krahasuar fotografitë me një bazë të dhënash të imazheve të njohura të abuzimit seksual të fëmijëve të përpiluara nga Qendra Kombëtare Amerikane për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar (NCMEC) dhe organizata të tjera të sigurisë së fëmijëve.