Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE), në Kosovë, Nataliya Apostolova në një intervistë për Telegrafin, ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke bërë thirrje që në situatën pas pandemisë COVID -19 të ketë unitet dhe konsensus politik për të tejkaluar krizën.
Ambasadorja Apostolava ka thënë se Bashkimi Evropian po ndjek nga afër zhvillimet e fundit politike në vend.
“Ne po ndjekim nga afër zhvillimet në vazhdim në Kosovë. Situata aktuale e pashembullt e shpërthimit të COVID-19 bën thirrje për konsensus, unitet politik dhe qëllim të përbashkët në krizë”, ka thënë Apostolova për Telegrafi.
Sipas saj, në këtë kohë partitë politike duhet të kenë unitet për mirëqenien e popullit.
“Partitë politike duhet të kujdesen para së gjithash për mirëqenien e popullit të Kosovës, mbi ndonjë interes partiak”, tha Apostolova.
Ndryshe, në kohën kur krejt bota edhe shtetet individuale po merren me çështjen e menaxhimit të situatës pas shpërthimit të pandemisë me COVID-19, në Kosovë ka shpërthyer kriza politike ndërmjet partnerëve të koalicionit Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kjo erdhi pasi kryeministri Albin Kurti shkarkoi ministrin e Puneve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu për sic u tha shpërndarje të panikut te qytetarët me deklaratat për kjoronavirusin.
Ndryshe, LDK ka prezantuar largimin nga Qeveria dhe ka nisur një mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti, që është përkrahur nga AAK dhe NISMA Socialdemokrate.