Gjykata Apelit ka hedhur si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka mbajtur në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ministrin Liburn Aliu dhe pesë të tjerë.
Më herët, Themelorja kishte hedhur poshtë aktakuzën për Aliun dhe pesë zyrtarë të tjerë për kohën sa ishin zyrtarë të Komunës së Prishtinës. Rasti ka të bëjë me lagjen “Prishtina e Re”.
“Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka vendosur që të refuzojë si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa është vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 23.08.2021. Me aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë aprovuar kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të paraqitura nga ana e mbrojtësve të të pandehurve dhe ndaj të pandehurve L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U. dhe M.B.P., është hedhur aktakuza si dhe është pushuar procedura penale”, thuhet në njoftimin e Apelit të hënën.
Të pandehurit kanë qenë të akuzuar për shkak të veprave penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit” dhe “mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.
Ministri Aliu ka dalë për herë të parë para Gjykatës më 6 prill 2021.