Anulohet dënimi për Naser Pajazitajn, rasti kthehet në rigjykim

Gjykata e Panelit ka aprovuar ankesën e mbrojtjes së të akuzuarit Naser Pajazitajt dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, i cili e la në burgim të përjetshëm atë për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

“Me aprovimin e ankesës së përbashkët të mbrojtësve të akuzuarit N.P., por, edhe sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi i Gjykatës Themelore – Departamenti për Krime të Rënda në Ferizaj, PKR.nr.9/20 datë 07.07.2021, anulohet dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe vendim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit, njofton Klan Kosova.

“Ankesa është e bazuar, por, duke vepruar edhe sipas detyrës zyrtare aktgjykimi i ankimuar duhet anuluar, ngase, i njëjti përveç, që është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. 1 nën par. 12 të KPPK-së, po ashtu, ka mbështetje edhe në prova të papranueshme”.

Të akuzuarit Naser Pajazitaj i vazhdohet paraburgimi deri në marrjen e vendimit tjetër nga gjykata e shkallës së parë.

Kjo është hera e katërt që rasti kthehet në rigjykim.