Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, të enjten , ka marrë vendim për pezullim të përkohshëm të të gjitha linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor (ardhjet) nga këto shtete: Italia, Gjermania, Zvicra dhe Franca.
Ky vendim është nënshkruar nga ministri i MIA, Lumir Abdixhiku, në vazhdimësi të vendimit të djeshëm të Qeverisë dhe pas rekomandimit nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ndërsa do të hyjë në fuqi nga data 13 mars 2020, ora 15:00. Vendimi mund të plotësohet dhe ndryshohet, varësisht nga rekomandimet e mëtutjeshme të IKSH-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ministri Abdixhiku shpreh keqardhje dhe kërkon mirëkuptim për masat preventive që janë duke u marrë dhe mund të kenë ndikim në jetën e qytetarëve.
“Ndjejmë keqardhje – sërish – për këto masa, por në rrethanat e tanishme jemi të pa alternativë. Lus qytetarët të reduktojnë lëvizjet me jashtë sepse masa të njëjta mund të merren edhe me shtetet e tjera. Si vend e si shtet, me qetësi e pa panikë, do ta kalojmë edhe këtë sfidë”, thekson mesazhi i Abdixhikut për situatën.