Anton Berisha rikthehet në LDK: Si ide kurrë s’kam dalë nga kjo shtëpi

Anton Berisha e ka lënë AAK-në për t’u rikthyer në LDK.

Këtë personalisht Berisha e ka konfirmuar për Klankosova.tv duke theksuar se si ide kurrë nuk është larguar që aty, njofton Klan Kosova.

“Kurrë s’kam dalë prej shtëpisë së vjetër, si ide”, është shprehur ai, kur është pyetur se çfarë e ka bërë të rikthehej aty.

“Nuk jam shkëputur asnjëherë prej LDK-së. Por partia politike e vetmja për mua është Kosova! LDK nuk ka qenë parti, LDK ka qenë lëvizje. Ibrahim Rugova për mua mbetet figura politike më e admirueshme shqiptare nga vitet e 90-ta e këndej”.

Berisha ka pohuar se me AAK-në rrugët i kishte ndarë pas zgjedhjeve të 6 tetorit të 2019.

“Atëherë është qartësuar mbyllja i këtij cikli. Para zgjedhjeve kam qenë i angazhuar jo vetëm personalisht, por zyrtarisht që LDK dhe AAK të nënshkruanin marrëveshje parazgjedhore për koalicion. Kam menduar se pa LDK-në nuk mund të përmbyllet asnjë marrëveshje”.

Ai ka thënë se pas zgjedhjeve të përgjithshme ka treguar për vendimin e tij.

“Kam qenë në kontakt me zyrtarë të LDK-së dhe jemi dakorduar që t’i kalojmë dallimet”.