Anashkalimi i trajnerëve kosovarë

Nga dhjetë skuadra të Superligës së Kosovës në futboll, pesë drejtohen nga trajnerë që nuk janë nga Kosova.

Drita (Ardian Nuhiu), Prishtina (Zekirija Ramadani), Feronikeli (Klodian Duro), Drenica (Bledar Devolli) dhe Besa (Jerome Klein), aktualisht u besojnë trajnerëve që nuk janë të vendit.

Rrugën e tyre mund ta ndjekë edhe Ballkani që ka shkarkuar Ismet Munishin dhe po kërkon trajner jashtë Kosovës. Numri i madh i trajnerëve nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut po vjen në shprehje në vitet e fundit, sidomos pas pranimit në UEFA dhe në FIFA.

Numri është rritur edhe në mesin e lojtarëve. Ky fenomen, sipas trajnerit të futbollit, Jusuf Tortoshi, që ka katër tituj të kampionit, është degradim për trajnerët kosovarë. Ai ka thënë për KOHËN se nuk është kundër trajnerëve nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si dhe nga vendet e tjera, por mendon se në Kosovë ka trajnerë të dëshmuar.

“Klubet në Kosovë duhet të zgjohen nga gjumi, pasi dikur mund të jetë vonë. Kjo çfarë po ndodh është deformim. Nuk jam kundër ardhjes së trajnerëve nga jashtë, pasi në secilin vend ndodh e njëjta gjë, por duhet të shikohet se nga po vijnë dhe çfarë bagazhi kanë. Mendoj se qasja e klubeve kosovare është e gabueshme. Duhet të durohen më shumë trajnerët kosovarë, t’iu japin më shumë kohë, ashtu siç po u japin trajnerëve nga vendet e rajonit. Trajnerët kosovarë nuk mund as të lajmërohen në Shqipëri për punë, e jo të marrin drejtimin e ndonjë klubi atje. Unë nuk e ndiej veten keq, pasi kam 4 tituj të fituar, 2 Kupa dhe 2 Superkupa të Kosovës, jam trajneri më i trofeshëm në vend. Por, nëse e shohim në përgjithësi, është degradim për trajnerët kosovarë kjo qasje e klubeve. Trajnerët kosovarë kanë bagazh, janë të shkolluar, kanë licenca dhe e njohin ligën më shumë se secili trajner që vjen”, u shpreh Tortoshi.

Ai mendon se edhe çështja e pagave është në disfavor të vendorëve. Tortoshi theksoi se nga trajnerët kosovarë kanë dalë lojtarë që sot luajnë edhe në Serie A.

Sejdiu nuk ndihet inferior

“Zekirija Ramadani i ka fituar dy tituj dhe ajo është fakt, nuk mund ta mohon askush. Trajnerët maten me tituj. Por, qasja ndaj trajnerëve kosovarë duhet të ndryshojë. Edhe nëse e shohim punën e pagave, trajnerët nga jashtë vendit janë shumë më të paguar dhe nëse e shohim nuk kanë asgjë më shumë sesa trajnerët kosovarë. Të mos harrojmë, nga këta trajnerë kosovarë me përvojë të madhe kanë dalë lojtarë që po luajnë sot në Serie A, Amir Rrahmani, Etrit Berisha, Vedat Muriqi, Milot Rashica në Bundesligë e shumë e shumë lojtarë të tjerë”, u shpreh Tortoshi, që aktualisht drejton Flamurtarin në Ligën e Parë.

Për fenomen aspak të mirë, flet edhe trajneri nga Mitrovica, Gani Sejdiu, i cili ka dy tituj të kampionit në Kosovë, me Trepçën dhe Feronikelin.

“Unë mendoj se është një fenomen shumë i gabueshëm i klubeve në 2-3 vjetët e fundit. Nuk kam asgjë kundër askujt, i respektoj të gjithë, por nuk ndihem inferior ndaj askujt. Është e drejtë ekskluzive e klubeve të vendosin, por statistikat tregojnë qartë për të gjithë trajnerët që kanë ardhur për të punuar në Kosovë. Sigurisht ardhja e tyre është e mirë dhe pozitive për futbollin e Kosovës”, tha Sejdiu, i cili insiston se Kosova ka trajnerë të dëshmuar.

“Kosova ka trajnerë të dëshmuar, trajner me CV të pasur dhe të përgatitur në të gjitha aspektet. E them me përgjegjësi dhe e përsëris se nuk kam asgjë kundër askujt”.

Sipas Sejdiut, klubet kosovare duhet t’u japin hapësirë dhe kohë trajnerëve vendorë.

“Trajtimi i trajnerëve nga jashtë Kosovës me vendorët duhet të jetë i njëjtë si në paga e po ashtu edhe në gjërat e tjera. Këtu e kam fjalën edhe te lojtarët, pasi kemi lojtarë shumë të mirë dhe te pagat duhet të jetë një nivelizim. Mendoj se nëse vazhdohet edhe në vitet në vazhdim të veprohet kështu, ky fenomen mund të lërë pasoja të mëdha”, deklaroi Sejdiu.

Qëndrimi i Shoqatës dhe stagnimi i pretenduar

Kryetari i Shoqatës së trajnerëve të futbollit në Kosovës, Muharrem Sahiti, njëherësh edhe ndihmëstrajner i Bernard Challandesit te Kosova, thotë se si shoqatë janë të shqetësuar me mosangazhimin e trajnerëve të dëshmuar nga klubet kosovare.

“Më çudit ky fakt, pasi në Kosovë kemi trajnerë me potencial të madh. Si shoqatë jemi të shqetësuar që po ndodh kjo. Trajnerët kosovarë me kushte dhe hapësirë, jam i bindur se do të mund t’i shprehnin aftësitë e tyre. Klubet nuk po e kanë durimin ndaj tyre, të cilat po i largojnë apo shkarkojnë. Jo çdoherë trajneri duhet të vlerësohet me tituj. Duhet të vlerësohet edhe puna profesionale, pasi në disa raste kërkesa e klubit mund të jetë që të bëhesh kampion, por nuk e ke cilësinë dhe strukturën që të arrish titullin”, u shpreh Sahiti, i cili foli edhe për pagat e larta që marrin në Kosovë trajnerët nga vendet e rajonit.

“Pagat për trajnerët jashtë Kosovës janë shumë të mëdha, e po ashtu edhe shpenzimet e tjera. Unë nuk jam kundër trajnerëve nga jashtë, madje i përkrahi ata. Por, mendoj se duhet të sjellin trajnerët më cilësorë sesa që i kemi, pra duhet të vijnë trajnerë nga të cilët mund të mësohet diçka. Një tjetër gjë është se trajnerët nga Kosova nuk angazhohen nga klubet në Shqipëri, në Maqedoni e as në Mal të Zi. Edhe kjo nuk është gjë e mirë. Unë jam i bindur se jo vetëm në rajon, por edhe më larg, trajnerët kosovarë mund të jenë të suksesshëm”.

Sahiti e thekson se nuk është kundër asnjë trajneri nga vendet e rajonit, por vlerëson se trajnerët që kanë ardhur, nuk kanë pasur suksese në vendet e tyre.

“Nëse e shohim në aspektin profesional, nuk është shumë e rëndësishme se nga cili vend vjen. Profesionalizmi nuk ka pardon dhe secili klub mendon që të marrë trajner që i kryen punë. Mendoj se nuk po vlerësohen sa duhet trajnerët kosovarë dhe kjo është bërë praktikë. Sikur ata nga jashtë po vlerësohen më shumë. Duhet sqaruar se unë nuk jam kundër asnjë trajneri që vjen nga jashtë. Megjithatë, trajnerët që vijnë në Kosovë dhe arrijnë suksese, të njëjtën gjë nuk kanë mundur ta bëjnë në vendet nga të cilat kanë ardhur, pra suksesin e kanë arritur në Kosovë dhe futbolli i Kosovës po i bën ata”, përfundoi Sahiti.

Kryetari i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, është shprehur për KOHËN se në Kosovë ua kanë dhënë mundësinë shumë trajnerëve. Sipas tij, kanë qenë të detyruar të kërkojnë trajnerë jashtë vendit.

“Prishtina u ka dhënë më së shumti hapësirë trajnerëve vendorë. Ne kemi nxjerrë edhe trajnerë, por që kanë mbetur aty dhe nuk kanë ecur më shumë kur janë larguar nga Prishtina. U kemi dhënë hapësirë edhe gjeneratës së artë e po ashtu edhe ish-lojtarëve. Ne jemi detyruar të kërkojmë trajnerë nga jashtë Kosovës. Në Kosovë nuk ka shumë zgjidhje dhe mendoj që kanë ngecur mbrapa me përgatitje dhe gjëra të tjera”, tha Ejupi.

Përveç Jusuf Tortoshit, që është i angazhuar në Ligën e Parë te Flamurtari, trajnerët e trofeshëm, Afrim Tovërlani, Gani Sejdiu dhe Bekim Isufi, janë pa punë. Të tre kanë pasur rastin të drejtojnë edhe ekipe të tjera pas sukseseve të fundit që kanë arritur, por që nuk ia kanë dalë të jenë kandidatë për të triumfuar. Që nga pranimi në UEFA dhe në FIFA, Zekirija Ramadani është më i trofeshmi, duke fituar dy tituj të kampionit, me Trepçën ’89 dhe Feronikelin, si dhe një Kupë dhe dy Superkupa. Nga një titull e kanë fituar Afrim Tovërlani (Feronikeli), Bekim Isufi (Drita) dhe Ardian Nuhiu (Drita).