Albert Krasniqi nga Demokraci Plus ka thënë se vendimi i Qeverisë Kurti për të rritur pagesën për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për dy muaj dhe për pensionistët për një muaj, është bërë me qëllim të përfitimeve në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Sot Qeveria Kurti vendosi të ndante nga 100 euro shtesë në nëntor për pensionistët e rregullt dhe për skemat sociale në nëntor e dhjetor dyfishin e pagesës së rregullt.
Sipas Krasniqit, ky është abuzim me resurse shtetërore për përfitime partiake.
“Vendimi i Qeverisë – në kohë të fushatës zgjedhore – për dyfishimin e pagesës për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për dy muaj; dhe për ndarjen nga 100 euro shtesë për pensionistët për një muaj; është rast tipik i abuzimit me resurset shtetërore për përfitime të partisë në pushtet. Kësisoj, dëmtohet procesi zgjedhor përmes krijimit të pabarazisë zgjedhore me partitë tjera në opozitë”, ka shkruar ai në Facebook.
Madje ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar Qeveritë e kaluara për abuzime të tilla.
“Keni kërkuar mbështetje për të vepruar ndryshe – dhe tani kur e keni rastin, e bëni pikërisht të njëjtën. Ka mbetur vetëm edhe të premtohet që Zhegra dhe Zhuri do të bëhen komuna”, ka përfunduar ai.