Kandidati për kryeministër të Kosovës, Enver Hoxhaj ka prezantuar ardhjen e profesorit të Shkencave Politike, Ardian Kastrati, i cili sot i është bashkuar PDK-së.
Hoxhaj, duke i uruar mirëseardhje Kastratit ka theksuar se PDK-ja është parti e vlerave që gjithmonë i ka hapur dyert për intelektualët e vendit, që ka hapur universitete të reja, që ka ulur shpenzimet e studentëve në universitete publike dhe parti që ka promovuar zhvillimin akademik të profesorëve.
Hoxhaj ka thënë se Kastrati vjen si një vlerë e shtuar për PDK-në për shkak të pasionit të tij për politikën dhe sferën publike, të cilën e ka dëshmuar jo vetëm së voni përmes komenteve dhe analizave të tij politike, por edhe më parë përmes angazhimit dhe aktivizmit të drejtpërdrejtë për të mirën e përgjithshme.
“Ardian Kastrati ka qenë anëtar i Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, në kohën kur ky union organizoi demonstratat studentore të viteve 1997 dhe 1998. Partia Demokratike e Kosovës është një parti e ushtarëve të UÇK-së dhe e të burgosurve politikë. PDK-ja është parti e frymës së rezistencës dhe mosbindjes ndaj Jugosllavisë në të gjitha etapat e okupimit. Prandaj, një profil i aktivistit të rezistencës studentore si Ardian Kastrati, pa dyshim që natyrshëm i ka dyert e hapura në PDK dhe natyrshëm e gjen veten në vijën politike që përfaqëson PDK-ja”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas Hoxhajt, përmes këtij aderimi, PDK-ja si shtëpi e madhe që është në proces reformimi ka hapur dyert për intelektualët dhe ekspertët, të cilët janë vlerë e shtuar për partinë dhe garancë e fitores së përbashkët.
“Ky dhe aderimet e tjera nuk janë thjesht emra konkretë. Këta janë një frymë që po ekziston brenda dhe jashtë partisë. Brenda partisë ekziston fryma e hapjes, reformimit dhe mirëseardhjes për kuadrot e reja, ndërsa jashtë partisë është fryma e besimit tek PDK-ja për të punuar në PDK dhe me PDK-në për të sjellur ndryshime pozitive në qeverisjen e re të udhëhequr nga PDK-ja”, ka përfunduar Hoxhaj.
Ndërsa, Ardian Kastrati duke e falënderuar Hoxhajn për pritjen, ka thënë se roli i tij si intelektual ka bërë që të mos qëndrojë indiferent përballë proceseve të komplikuara politike që po kalon Kosova dhe ndërgjegjja shtyrë që t’i bashkohet PDK-së për të ofruar një Kosovë më të sigurtë për pasardhësit, sepse kur PDK nuk qeveris në Kosovë ka stagnim.
“Mbrëmë me fëmijët e mi duke i shikuar disa arkiva gjeta një ftesë në ditën kur është themeluar PDK-ja para disa viteve, ku unë nuk pata shkuar për disa arsye dhe nuk isha i gatshëm që të kyqem në politikë në atë kohë. Po i përgjigjem asaj ftese 20 vite me vonesë por në fakt unë kam qenë aty me frymën, me ideologjinë, me konstruksionin politik që ka ndërtuar PDK-ja”, ka thënë ai.
Ardian Kastrati është profesor në Departmentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Ai ka lindur dhe jeton në Prishtinë. Studimet Master i ka përfunduar në fushën e Studimeve Europiane, në Universitetin e Gracit dhe në fushën e Shkencave Politike, në Universitetin e Salzburgut në Austri, ndërsa studimet për doktoratë i ka përfunduar në Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Universitetin e Zarës, në Kroaci.
Ai ka qenë këshilltar i Presidentit të Kosovës, këshilltar i jashtëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe këshilltar në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës.