Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka deklaruar se gjatë viti 2023 ka pasur fusha ku do të dëshironte të kishte më shumë sukses.
E, pavarësisht kësaj ka thënë se asnjë punë në qeverisjen e tij nuk ka shkuar në drejtim të gabuar.
Ndërsa, e ka pranuar se si qeveri nuk janë të përsosur.
Por, se cilat janë dështimet dhe përparimet e kësaj qeverie në këtë vit, për Front Online kanë folur analistë politik.
Sipas tyre, Qeveria “Kurti” ka pasur shumë dështime e pas progres, madje edhe ky progres sipas tyre ka qenë i limituar.
Si dështime ata kanë përmendur politikën e jashtme, sektorin e ekonomisë, përfundimin e shumë ligjeve në Kushtetuese e çështje të tjera.
Arifi: Qeveria “Kurti” me shumë dështime e me progres të limituar
Analisti politik, Dritëro Arifi, ka numëruar një varg që siç thotë ai janë dështime të kësaj qeverie në vitin 2023.
Ai ka përmendur edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian, e për të cilat thotë se kjo qeveri nuk arrit t’i heqë ato.
“Nëse mund të themi dështimet më të mëdha janë pikërisht në sektorin e ekonomisë që nuk kanë arritur ta ringjallin as shpresën por as çështjet ku ekonomia e Kosovës përballet me sundim të dobët të ligjit, me ekonomi joformale. Dështim i radhës këtë vit janë edhe sanksionet apo masa e vendosura nga BE-ja që Qeveria nuk arriti në asnjë mënyrë që të paktën t’i heqë në këtë vit, po ashtu dështim është edhe reforma në drejtësi sepse ende nuk e ka arritur nivelin e duhur të reformës, pra ka suksese shumë të limituara”, ka deklaruar ai për Front Online.
Si dështim tjetër Arifi po e sheh edhe politikën e jashtme.
“Sa i përket mosnjohjeve këtu ka dështuar sepse Qeveria nuk ka pasur kapacitet të angazhohet për njohje të reja, por si përparim të limituar mund ta themi kalimin e parë të fazës së Kosovës për anëtarësim në KIE”, është shprehur Arifi.
Analisti Arifi ka përmendur edhe ligjet të cilat po miratohen në Kuvend, e që pastaj po dërgohen në Kushtetuese dhe po shpallen antikushtetuese.
Sipas tij, kjo dëshmon dy gjëra.
“Një problematikë tjetër që këtë qeveri po e përcjell që nga fillimi deri tash janë edhe aprovimi i ligjeve jokushtetuese. Pra në momentin kur ato ligje po shkojnë në Kushtetuese 90% deri tash të ligjeve i ka humbur sepse kanë dalë ligje antikushtetuese dhe kjo dëshmon dy gjëra. E para që kjo qeveri nuk ka kapacitete njerëzore humane për tu marrë në mënyrë profesionale për tu marr me hartimin e ligjeve dhe e dyta është e qëllimshme sepse po tentojnë në forma joligjore në një farë forme ta kontrollojnë tërë pushtetin në Kosovë dhe kjo është shumë e dëmshme”, ka thënë ndër të tjera Arifi.
Kurse, si përparim e sheh marrjen nën kontroll të veriut, por që edhe për këtë pohon se ende nuk ka përfunduar e gjitha puna.
“I vetmi përparim që mund ta them është marrja nën kontroll e veriut, mirëpo pikërisht për shkak të këtij përparimi jemi dëmtuar në shumë aspekte tjera, pro sidoqoftë këtë mund ta themi që është përparimi më i madh i Qeverisë Kurti, mirëpo edhe aty ende nuk ka përfunduar puna edhe aty”, ka shtuar ai.
Demhasaj: Qeveria “Kurti” ka dështuar në aspektin ekonomik, politik e në politikën e jashtme
Që qeveria Kurti nuk ka pasur përparim në vitin 2023 e thotë edhe analisti tjetër, Arton Demhasaj.
Ai ka përmendur disa aspekte e që vlerëson që nuk ka pasur lëvizje në to nga kjo qeveri.
“Jo vetëm në vitin 2023 por prej marrjes së mandatit të kësaj qeverie nuk është që mund të shquhen për ndonjë lëvizje të madhe në aspektin politik, as në atë ekonomik e as në atë të politikave të jashtme. Politika e jashtme ka stagnuar në të gjitha aspektet, pra nuk kemi asnjë njohje që ka arrit me siguru, po ashtu nëse flasim edhe për çështjen e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare nuk ka ndonjë lëvizje përpos një aplikim që e kemi bërë”, ka thënë ai.
Por, deklaron se në dialog ka pasur një përparim.
“Në dialog mund të themi se kemi pas pak a shumë përparime, kemi pas marrëveshjen e Brukselit njëkohësisht aneksin e Ohrit por që pastaj ka ngec në implementim. Tash mund të themi se kemi pas një përparim pasi kemi pas edhe një konvertim të targave nga ana e serbëve në komunat veriore dhe vendimi i Qeverisë së Serbisë për t’i njohur ato targa”, është shprehur Demhasaj.
Kurse fatkeqësi për këtë qeveri e quan atë se shumë ligje pas dërgimit në Gjykatën Kushtetuese po dalin të jenë antikushtetuese.
“Opozita e ka vlerësimin e saj edhe një pjesë të madhe të ligjeve i ka dërguar në Kushtetuese dhe është fatkeqësi që shumicën prej atyre ligjeve Kushtetuesja i ka vërtetuar që janë antikushtetuese, dje ishte i fundit edhe Ligji i Pagave dhe kjo tregon që në një farë forme Qeveria edhe Kuvendi një pjesë të ligjeve që i kanë votuar janë konstatu se janë kundërkushtetuese”, ka thënë tutje ai.
Muhaxhiri: Politika e Jashtme në vitin 2023 ka stagnuar totalisht
Vit të vështirë vitin 2023 për qytetarët e Kosovës e sheh edhe analisti tjetër Artan Muhaxhiri.
Muhaxhiri, deklaron se kryeministri Albin Kurti shumicën e energjisë së tij e ka shpenzuar në dialog.
“Viti 2023 ka qenë shumë i vështirë për qytetarët e Kosovës sepse nuk ka pas ndonjë zhvillim substancial ekonomik dhe politik dhe kanë qenë në shpërputhje me tentimet të cilat janë bërë nga qeveria Kurti për përmirësim të shpejtë dhe fundamental të mirëqenies së qytetarëve. Çështja e dialogut e ka dominuar gjithë vitin dhe kryeministri Kurti ka harxhuar shumicën e energjisë së tij politike duke u marrë më tema direkte apo indirekte të procesit të dialogut”, është shprehur Muhaxhiri për Front Online
Ndërsa, për përfundimin e shumë ligjeve në Kushtetuese, Muhaxhiri thotë se qasja e Qeverisë për këtë çështje më shumë ka qenë partiake.
“Qeveria e Kosovës ka pasur shumë probleme në aspektin e ligjeve sepse qasja e saj ndaj ligjeve ka qenë partiake e jo shtetërore, prandaj edhe ka has në bllokada të panumërta nga Kushtetuesja për faktin që ligjet që janë propozuar nga Qeveria dhe janë miratuar në Kuvend nuk kanë qenë në harmoni me Kushtetutën dhe kjo është bërë një traditë negative dhe e dëmshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, stagnim ka pasur edhe në politikën e jashtme.
“Politika e jashtme e Kosovës ka stagnuar në plotëni sepse nuk ka pas as vizion, as plane e as ide që të avancohet pozita ndërkombëtare e Kosovës”, ka pohuar ndër të tjera Muhaxhiri.
Ndryshe, qeveria e Kosovës në këtë vit ka mbajtur 62 mbledhje me 564 vendime të marra e 78 projektligje të kaluara.