Memli Krasniqi ka marrë timonin për të udhëhequr Partinë Demokratike të Kosovës. Në Konventën zgjedhor të PDK-së morën pjesë 476 delegatë, shtatë prej të cilëve ishin kundër zgjedhjes së Krasniqit, kurse një delegat abstenoi gjatë votimit.
Krasniqi pasi mori besimin e delegatëve, tha se është falënderues për mundësinë dhe i ndërgjegjshëm për barrën e përgjegjësisë që do ta merr si i pari i partisë.
E me ardhjen e Memli Krasniqit në krye të PDK-së, analisti Alberti Krasniqi nga Demokracia Plus, thotë se kjo parti ka ndjekur ritimin e rrugës së partive rivale si LVV dhe LDK, të cilat tashmë siç tha ai udhëhiqen nga persona të rinj dhe energjik.
Analisti Krasniqi në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, ka thënë se PDK do të jetë më e përgatitur tani.
“Memli Krasniqi është një person me të cilin mund të ndihen të përfaqësuar të gjitha gjeneratat e PDK-së dhe mund të ruaj homogjenitetin e partisë. Me Krasniqin në krye, PDK do të jetë më e përgatitur të ballafaqohet me pushtetin, por edhe të konsolidojë pozitën e saj në opozitë”, pohoi ai.
Më tej, analisti tha tutje se Krasniqi e ka marrë detyrën në kohën kur PDK është në pikën me të dobët, duke shtuar tutje se para vetës ka pengesa serioze.
“Ndonëse, Krasniqi ka marrë detyrën në kohën kur mbështetja elektorale për PDK-në është në pikën më të dobët, ka qenë për kohë të gjatë në pushtet, i faturohen shumë dështime në qeverisje, dhe mbahet përgjegjëse për përfshirje të zyrtarëve të saj në afera të korrupsionit. Këto janë pengesa serioze për rikthim të shpejtë në pushtet dhe për bërje të opozitarizmit që merret seriozisht nga qytetarët. PDK ka një mision të vështirë para vetës, të rikuperimit të imazhit të saj, të transformimit në subjekt modern, e të hapur për njerëz me integritet dhe ide të reja. Tashmë ka bërë hapin e parë me zgjedhjen e kryetarit të ri”, është shprehur ai.
Në anën tjetër, analisti Arton Demhasaj ka deklaruar për Telegrafin se PDK ka humbur mundësinë që të zhvillojë një garë demokratike, pasi që ka pasur vetëm një kandidat.
“Mendoj që PDK e ka humbur shansin që e ka pasur për më mbajt një garë të vërtetë për kryetar të partisë. Kjo për faktin se sot kemi pasur veç një kandidat, pra Konventa ka votuar për atë kandidat, mendoj që e ka humbur mundësinë për të pasur një garë demokratike. Në anën tjetër, Memli Krasniqi ka qenë në parti moti, ka mbajtur funksione të larta, njëkohësisht ka mbajtur funksione edhe gjatë kohës sa PDK ka qeverisur, andaj është konsumuar politikisht prandaj nuk është se pres diçka të veçantë nga Krasniqi”, shtoi mes tjerash ai.
Ndërsa, Visar Ymeri e ka quajtur lajm të mirë ardhjen e Krasniqit në krye të PDK-së.
“Memli Krasniqi në krye të PDK-së është lajm i mirë për skenën politike në Kosovë. Memlit i uroj punë të mbarë e sukses. Hap drejt tejkalimit të boshllëkut që kanë lënë udhëheqësit historik. Por edhe mundësi për t’a ndërtuar një PDK për aktualitetin e të ardhmen politike të vendit.”, ka shkruar Ymeri, në një postim në Twitter.
Theksojmë se PDK që nga muaji nëntor i vitit 2020 ishte me ushtrues detyre të kryetarit, ku në këtë pozitë ishte Enver Hoxhaj. Këto zhvillime në PDK ndodhën për shkak të arrestimit të ish-kreut të kësaj partie Kadri Veseli nga Specialja, e që më pas ai u tërhoq nga të gjitha aktivitetet politike.