Shërbimi Korrektes i Kosovës (SHKK), përmes një ceremonie ka bërë pranim dorëzimin e donacionit të radhës nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht nga Byroja për çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) dhe ICITAP.
Pranim-dorëzimit i donacionit u bë nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi dhe Drejtori i Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) në Kosovë, Shawn Waddoups.
Ky donacion është dhuruar muajin e kaluar dhe arrin vlerën prej 172.000 dollarë, në të cilin përfshihen tri automjete transportuese, të cilat do të përdoren nga Njësia për Përcjelljen e të Burgosurve, 700 batanije, 200 llamba ndriçuese “Flash Lights”, si dhe set pajisjesh mbrojtëse për intervenime të shpejta kundër trazirave.
Dhurimi i këtij donacioni ka për qëllim rritjen e nivelit të sigurisë në transportimin e të burgosurve, sigurisë brenda institucioneve korrektuese, si dhe përmirësimin e kushteve të punës duke mundësuar kryerjen e punëve të përditshme më me efikasitet.
ICITAP&INL me donacionet e saj po vazhdon ta mbështes fuqishëm zhvillimin e SHKK-së, duke aspiruar në ndërtimin e një sistemi të avancuar, të pavarur, të sigurt dhe të vetëqëndrueshëm.
Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Nehat Thaçi, falënderoi Ambasadën e SHBA-ve, dhe Waddups për përkrahjen e vazhdueshme që po japin në ngritjen e kapaciteteve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.