Ambasadorja shqiptare në Izrael, Meri Kumbe, ka dalë me një njoftim për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë atje pas sulmit nga Hamasi me qindra të vrarë, që nisi mëngjesin e së shtunës. Ajo thotë nga aeroporti i Tel Aviv se është në kontakt me shqiptarët që duan të largohen nga Izraeli.
“Unë jam Meri Kumbe, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Izrael dhe aktualisht ndodhen në aeroportin e Tel Aviv. Prej 48 orësh, kam qenë në kontakt me Ministrin e Evropës dhe Punët e Jashtme z. Hasani dhe përmes Ministrisë dhe stafit të ambasadës jemi në kontakt me shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë në Izrael për t’i ndihmuar në largimin nga vendi. Me porosi të Ministrit ka vëmendje maksimale për shtetasit tanë, për punonjësit dhe familjarët e ambasadës si edhe për shtetasit nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut”.
“Janë orë të vështira për ne këtu në Izrael por në emër të qeverisë shqiptare garantoj shtetasit shqiptarë dhe familjet e tyre, që nën drejtimin e Ministrisë tonë të Jashtme dhe autoriteteve izraelite po ndiqen të gjitha procedurat për sigurinë e tyre, gjatë qëndrimit dhe largimit drejt Shqipërisë.”, shprehet ajo./abcnews.al/