Se në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Uashington-it ekziston tashmë një hendek i madh s’është lajm i ri – me ardhjen e qeverisë së re të drejtuar nga Albin Kurti, ky relacion kaherë i paramenduar si i paprekshëm dhe i shenjtëruar psikologjikisht, ka pësuar përmbysje të llojit të vet. Aq shumë sa që edhe Kosova është ndëshkuar politikisht dhe ekonomikisht nga Uashington-i, përmes “masave ndëshkuese”; eufemizëm kjo i dizajnuar për të shmangur termin “sanksionim”.
Kjo nisi të bëhej evidente dhe të dilte në dritë të diellit ishte kur Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, do të niste të përdorte referenca të reja në raport me marrëdhëniet Kosovë-ShBA; në kontekstin e vështirësive të komunikimit me qeverinë kosovare të Albin Kurtit.
Escobar do të thoshte se “marrëdhëniet mes popujve të ShBA’së dhe Kosovë jan të forta” por se ekzistojnë “disa sfida në marrëdhëniet bilaterale me Kryeministrin Kurti”. Tashmë kapërcimi frazeologjik ishte bërë prej marrëdhënieve dy-palëshe shtetërore në atë dy-palëshe mes dy-popujve.
Në histerinë e madhe që kishte nisur nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës u dhanë si “në favor dhe ledhatim të Serbisë” në dritën e zhvillimeve në veri të vendit, ku Kurti – kryemëvete – kshte nisur instalimin me forcë të kryetarëve të rinj legalë (ndonëse jo legjtimë).
“Do të jem shumë i sinqertë, SHBA-të kanë qenë mbështetësi juaj më i madh dhe më dhemb të shoh që njerëzit mendojnë se ne në njëfarë mënyre po e drejtojmë marrëdhënien dhe angazhimin tonë me Kosovën në të mirë të Serbisë”, ishte shprehur Escobar.
Një ditë më parë, edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, do të shmangte çfarëdo reference ndaj qeverisë kosovare në ceremoninë e nënshkrimit të një granti prej 35 milionë dollarësh nga USAID-i, e ku prezente ishte presidentja kosovare, Vjosa Osmani, e cila, ndonëse kokë-e-këmbë në linjë me qeverinë e Kurtit, ka provuar të mirëmbajë një relacion më të ngrohtë me Uashington-it, një edhe-edhe e çuditshme por e domosdoshme për të.
Hovenier, u kujdes që referencat t’i ketë me “popullin e Kosovës”.
“Dua të rikonfirmoj partneritetin e gjatë dhe të qëndrueshëm të Shteteve të Bashkuara me popullin e Kosovës”, tha Hovenier dje në ceremoni.
Ndërkaq për marrëveshjen/grantin e nënshkruar dje, ambasadori amerikan iu kthye sërish të njëjtës referencë.
“Marrëveshja e nënshkruar sot është një tjetër manifestim i përkushtimit të Shteteve të Bashkuara ndaj popullit kosovar”, tha ambasadori.