Ambasadori gjerman shpreson për një përparim të shpejtë në dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti njofton se ka pritur sot në takim njohës ambasadorin e ri të Republikës së Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Sipas njoftimit për media, duke e uruar për detyrën e re, Hoti ka theksuar se Gjermania mbetet një ndër partnerët kryesor strategjik të Kosovës.

“Duke e falënderuar ambasadorin Rohde për ndihmën e përhershme që Gjermania i ka dhënë Kosovës, kryeministri Hoti ritheksoi qëndrimin e palëkundshëm të Qeverisë së Kosovës për ta thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, Hoti ka ripohuar qëndrimin e prerë të Kosovës se është koha për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në mes të dy vendeve, e cila në thelb duhet të përmbajë njohjen reciproke.

“Ndërsa, ambasadori gjerman Jorn Rohde, ndër të tjera, ka shprehur shpresën për një përparim të shpejtë në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka theksuar se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përpjekjet për menaxhimin e pandemisë dhe të rimëkëmbjes ekonomike. Po ashtu, ai shtroi edhe mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të kompanive private, duke pohuar gatishmërinë gjermane për investime në vendin tonë”, thuhet në njoftim.