Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka folur për vdekjen e Agon Musliut muaj më parë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, e cila shërbente si karantinë, në periudhën e hershme të pandemisë së koronavirusit.
Cufaj ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se “humbja e Agon Musliut është humbje e tmerrshme”.
Ai ka thënë se me rastin e Musliut është marrë personalisht.
“Kam biseduar me të ndjerin me telefon. E kam përcjellë me asistent teknik me makinë”, ka treguar ai.
“Babai i tij është falënderuar…”, ka thënë Cufaj.
“Është një humbje e madhe. Edhe unë ndihem humbës”, është shprehur ambasadori.
“Një hallkë e shtetit ka dështuar”, ka deklaruar Cufaj, teksa ka treguar se deklaratën e tij për rastin e Musliut e ka “deponuar në Prokurori”.