Ambasadën e Francës në Kosovë njoftoi se ish-përfaqësuesi i Lartë i OKB-së, Bernard Kouchner, do të zhvillojë vizitë në Kosovë në një datë të mëvonshme, pasi vizita që u paralajmërua të zhvillohej të martën u anulua për shkak të problemeve logjistike.
Në reagim, Ambasada tha se shpreh keqardhje për këtë anulim dhe e falënderon presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.
“Ju informojmë se vizita e ish-ministrit francez të Punëve të Jashtme dhe Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së, Bernard Kouchner në Kosovë, fatkeqësisht është dashur të anulohet për shkak të problemeve logjistike të lidhura me udhëtimin e Dr Kouchner. Ju njoftojmë se vizita e tij do të realizohet në një datë të mëvonshme. Ambasada e Francës shpreh keqardhje për këtë pengesë dhe falënderon sinqerisht Presidenten, Kryeministrin, Kuvendin e Kosovës, Kryetarin e Prishtinës, Kuvendin komunal dhe të gjithë personalitetet e shoqërisë që pranuan të takohen me Dr Kouchner gjatë vizitës së tij”, thuhet në komunikatë.
Kouchner ishte Përfaqësues i Lartë i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë nga viti 1999 deri në vitin 2001 dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme të Francës.