Ndihmës Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Erin E. McKee ka qëndruar në Kosovë ku u takua me shumë të rinj, gra ndërmarrëse, por jo me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ky fakt përmendet në përgjigjen e ambasadës amerikane për Klan Kosova.tv, pas pyetjes nëse kjo ka ndodhur si masë kufizuese për takimet e zyrtarëve amerikanë me shefin e ekzekutivit kosovar, porse nuk pohohet as mohohet të ketë një kufizim.
“Në funksion të rolit tonë, diplomatët takohen shpesh me përfaqësues nga qeveria, shoqëria civile, media dhe publiku. Gjatë vizitës së saj në Kosovë, Ndihmës Administratorja McKee theksoi prezencën 25-vjeçare të USAID-it në Kosovë dhe u takua me të rinj, gra ndërmarrëse, donatorë, media dhe përfaqësues të zgjedhur të qeverisë për të theksuar partneritetin e qëndrueshëm të USAID-it me popullin e Kosovës. Ndihmës Administratorja nuk u takua me Kryeministrin gjatë vizitës së saj”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për KlanKosova.tv.
Javët e fundit ka qenë ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier që ka deklaruar se vendimi për dinarin serb ka ndikuar në partneritetin Amerikë-Qeveri e Kosovës.