Media shqiptare në Maqedoni të Veriut, “Aslat.mk” ka raportuar gjatë ditës së sotme se delegacioni i Presidentes Vjosa Osmani, ka pasur telashe të ngjashme me incidentin e fundit të ndodhur në Aeroportin e Shkupit edhe në të kaluarën.
Sipas këtij mediumi, arsyet e këtyre incidenteve, që mbajnë datat 16 shtator 2023 dhe 9 tetor 2023, kanë qenë të ndërlidhura me refuzimin e delegacionit të Presidentes Osmani për kontroll të bagazhit të së parës së shtetit.
Këtë publikim, Alsat thotë se e ka bazuar në procesverbalet e policisë, të cilat thotë se shpjegojnë se “pala Kosovare në shtator të vitit kaluar ka refuzuar t’i kontrollohet bagazhi presidentes së Kosovës”.
Arsyet për këtë refuzim, sipas Alsat, i kanë bazuar në imunitetin diplomatik të Presidentes.
“Pasi kanë arritur në sektorin VIP mes personit që ka përgjegjësinë e protokollit të delegacionit dhe shërbimi për siguri në aeroport ka ardhur deri tek keqkuptimi sepse të njëjtit duke u thirrur në imunitetin diplomatik të kryetares nuk janë pajtuar që bagazhi personal i presidentes së Kosovës të kontrollohet në skaner”, thuhet në procesverbalin e datës 16.09.2023, raporton Alsat.
E njëjta situatë si ajo e 1 gushtit është përsëritur edhe më 9 tetor të vitit të kaluar. Pala kosovare ka pretenduar se falë imunitetit diplomatik, presidentes nuk duhet t’i kontrollohet bagazhi, por që për veprimet e tilla është informuar se mund të refuzohet nga përgjegjësi i fluturimit.
“Pasi kanë arritur në sektorin VIP, personit që ka përgjegjësi sigurinë e delegacionit dhe udhëheqjen e protokollit (që atë ditë ishte personi D.M me numër identiteti 5785) i është thënë (nga delegacioni i Kosovës) se nuk pajtohen që bagazhi personal i presidentes së Kosovës të futet në kontroll skaneri. Arsyet për këtë i kanë bazuar në imunitetin diplomatik të kryetares. Nga ana e kapitenit të fluturimit dhe përfaqësuesit të ‘Croatia Airlines’, duke u thirrur në standardet ndërkombëtare dhe programin kombëtar për siguri, i është potencuar se derisa nuk lejon kontrollin e bagazhit, e njëjta nuk do të pranohet në fluturim”, thuhet në procesverbalin e datës 09.10.2023.
Ditë më parë, policia maqedonase njoftoi zbardhjen e incidentit të 1 gushtit, ndërsa ndaj shefit të sigurimit të kryeparlamentarit Afrim Gashi ka ngritur kallëzim penal për cenim të sigurisë dhe pengim ndaj personit zyrtar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së djeshme në Shkup tha se rasti i takon organeve hetuese. Ndërkohë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se incidenti nuk do t’i prish raportet mes dy vendeve, por në të kundërtën do t’i afrojë edhe më shumë.
Sot për qëndrimet e tyre ka reaguar kabineti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani nga ku kanë theksuar se “Presidentja e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk ka kërkuar tejkalim apo shkelje të procedurave, por respektim të rregullave ndërkombëtare, siç bëhet në të gjithë botën”.
Sipas kabinetit të Osmanit, mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, “është për keqardhje, sepse sipas tyre i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës”.