Allegri mbetet në krye të Juventusit

Massimiliano Allegri do të vazhdojë të mbetet trajner i Juventusit përkundër startit të dobët këtë edicion.

“Tuttosport” ka njoftuar të martën se krerët e Juventusit kanë biseduar me trajnerin, të cilit ia kanë konfirmuar besimin për ta vazhduar punën e tij. Juventusi ka pasur start të dobët këtë edicion, si në kampionat ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.

Në Champions, Juventusi ka dy humbje në po aq ndeshje të luajtura kurse në Serie A, ka tubuar vetëm 10 pikë pas shtatë xhirove të zhvilluara deri më tani. Humbja nga Monza javën e kaluar, shtoi zërat për shkarkimin e Allegrit por trajneri ka besimin e klubit për ta vazhduar projektin e nisur vitin e shkuar.

Sipas “Tuttosport” shkarkimi i Allegrit do t’i kushtonte klubit hiq më pak se 80 milionë euro, pasi 55-vjeçari ka kontratë me Juventusin deri në verën e vitit 2025.