Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, u nderua këtë të enjte me titullin “Qytetar Nderi” në Tiranë.
Të pranishëm në ceremoni ishin, veç tjerësh, kryeministri Edi Rama, kryeparlamentarja Lindita Nikolla e ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla.
“Një shqiptar ndër më të mirët, një luftëtar që politikën e diplomacinë i ka kthyer në një mjeshtëri të admirueshme, një udhëheqës që i ka bërë vend të veçantë vetes në historinë e shqiptarëve dhe në zemrat e në mendjet e të gjithëve, përfshirë edhe mendjet e kundërshtarëve e armiqve të tij”, shkroi Rama në Facebook për Ahmetin.
Kryebashkiaku i Tiranës, në nisje të ceremonisë tha se “nuk është Tirana që nderon Ali Ahmetin me titullin ‘Qytetar nderi’ është nder në historinë e Tiranës që ju na jepni duke qenë pjesë e familjes sonë, e skuadrës sonë dhe e misionit tonë”.
“Nuk është vetëm Tirana që nderon burrin, që e ka shqiptarinë bosht të ekzistencës së vetë, por Tirana vetë nderohet duke vlerësuar një figurë të jashtëzakonshme, si miku ynë, vëllai ynë, kryetari ynë Ali Ahmeti”, tha Veliaj.