Albulena Haxhiu: Opozita po na pengon të bëjmë reforma

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se opozita është duke e penguar Qeverinë të bëjë reforma në drejtësi, ndonëse sipas saj, reformat i kishin premtuar edhe partitë opozitare gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare.

Ajo deklaroi në Konfrontin e KTV-së të mërkurën se projektligji për Këshillin Prokurorial është ndër çështjet ku synohet të bëhet reformim, por kjo siç tha Haxhiu, po bllokohet.

“Duke pasur parasysh reformat që janë bërë të rëndësishme, ato janë bërë obligim për Qeverinë e Kosovës. Duke qenë se janë reforma të thella dhe të ndjeshme, prekin edhe elemente të ndryshme të sistemit. Kemi konsideruar se në fazat fillestare të konsultohemi me mekanizma ndërkombëtarë…Diku tjetër është problemi. Reformat që i kemi nisur në vazhdimësi janë penguar nga akterë të ndryshëm, por ajo që më shqetëson është që këtë po e pengon opozita, duke qenë se edhe kur kanë dalë para qytetarëve, kanë premtuar reforma në drejtësi edhe vetting”, shtoi ajo.

Sipas ministres së Drejtësisë, partia në pushtet me opozitën mund të kenë dallime politike, por jo kur flitet për reformim të sistemit të drejtësisë.

Haxhiu shtoi se duhet të jenë bashkë në këtë rrugëtim, ndërsa dërgimin e projektligjit në Gjykatës Kushtetuese e quajti “formë të papranueshme”.

Nëpërmjet ligjit të ri për Këshillin Prokurorial parashihen shtatë anëtarë, prej tyre katër prokurorë, ku dy prej tyre do të zgjidhen nga Kuvendi, e një të delegohet nga Avokati i Popullit. Ligji aktual e përcakton numrin e anëtarëve të Këshillit në 13, ku 10 janë prokurorë, përfshirë kryeprokurorin e Shtetit, anëtarin nga Oda e Avokatëve, një profesor universitar të drejtësisë dhe një nga shoqëria civile.