Kryeministri i zgjedhur, Albin Kurti ka bërë thirrje për unitet të skenës politike për votimin e kandidates për presidente, Vjosa Osmani.
Pas seancës ku u betua si kryeministër i ri, Kurti u shpreh se vendi nuk duhet të thellohet në një krizë të re që do të ndërlidhej me karrigen e presidentit.
“E dini shumë mirë që i vetmi personalitet i cili në skenën tonë nuk ka anëtarësi në subjektin politik, ka treguar integritet njerëzor e profesional dhe e ka mirëmbajtur atë, është Vjosa Osmani. Prandaj, është mirë që në seancën e radhës të bëhemi të gjithë bashkë, të kalojmë tek zgjedhja e presidentes dhe kësisoj të fillojmë të dalim nga krizat ku është kredhur vendi ynë”, ka thënë Kurti.