Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në seancën e nesërme të Kuvendit në të cilën do të jetë interpelanca e ministrit të Financave, Hekuran Murati, do t’i parashtrojë dy çështje të rëndësishme.
Tahiri përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova ka dy rreziqe të mëdha ekonomike me Qeverinë Kurti.
“Nesër, në seancën e Kuvendit të Kosovës, do të jetë vetëm një pikë e rendit të ditës – interpelanca e ministrit, Hekuran Murati, të cilin e kemi ftuar që të reflektojë në dy rreziqe të mëdha ekonomike që i ka Kosova me këtë Qeveri: E para, lidhet me bllokimin e investimeve kapitale, që është në nivelin më të ulët në histori. Dhe, e dyta, me nevojën që me rishikim buxhetor të ngritet koeficienti i pagave nga 105 në 129 euro për shërbyes civil”, shkroi ai.
Sipas tij, seanca e nesërme duhet të jetë alarmi i fundit.
“E kam një porosi për Qeverinë dhe ministrin: seanca e nesërme duhet të jetë alarmi i fundit për të shtyrë përpara detyrën më të madhe të Qeverisë për investimet publike, dhe të përkujdeset për të punësuarit e administratës shtetërore, që dita ditës po e lëshojnë Kosovën”.
Postimi i plotë:
Nesër, në seancën e Kuvendit të Kosovës, do të jetë vetëm një pikë e rendit të ditës – interpelanca e ministrit, Hekuran Murati, të cilin e kemi ftuar që të reflektojë në dy rreziqe të mëdha ekonomike që i ka Kosova me këtë Qeveri: E para, lidhet me bllokimin e investimeve kapitale, që është në nivelin më të ulët në histori. Dhe, e dyta, me nevojën që me rishikim buxhetor të ngritet koeficienti i pagave nga 105 në 129 euro për shërbyes civil.
E kam një porosi për Qeverinë dhe ministrin: seanca e nesërme duhet të jetë alarmi i fundit për të shtyrë përpara detyrën më të madhe të Qeverisë për investimet publike, dhe të përkujdeset për të punësuarit e administratës shtetërore, që dita ditës po e lëshojnë Kosovën.
Ne do të prezantojmë qëndrimet tona, kalkulimet tona, mbi të gjitha sugjerimet tona për ndryshimet në buxhet të Kosovës me rishikim.