Sot gjatë ditës, Partia Demokratike e Kosovës me anë të deputetes, Ariana Musliu-Shoshi dhe avokatit, Faton Fetahu, përmes një Konference për Media kanë denoncuar keqpërdorimin e 1.1 milionë eurove, duke thënë se të përfshirë janë dy Ministrat e Qeverisë Kurti, Donika Gërvalla dhe Fikrim Damka.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se kjo është aferë e dyshimtë dhe e kundërligjshme, përmes së cilës është mundësuar keqpërdorimi i rreth 1.1 milionë eurove të taksapaguesve të Kosovës.
“Fjala është për një “Memorandum Bashkëpunimi”, në mes të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Caritas-it Zviceran, në bazë të të cilës, buxheti i Republikës së Kosovës shpenzohet kundërligjshëm në shumë prej 1 milion e 40 mijë euro. Kjo marrëveshje, është nënshkruar dhe tashmë është duke u realizuar por një gjë e tillë ka ndodhur vetëm pas Pëlqimit zyrtar të cilin e ka nënshkruar Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, e cila i ka hapur rrugë nënshkrimit të kundërligjshëm të saj, duke inkurajuar dhe lejuar kështu keqpërdorimin e rreth 1 milion e 40 mijë eurove.”, ka thënë deputetja Musliu-Shoshi.
Rreth kësaj ka reaguar vet Ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla.
Gërvalla përmes një postimi në Facebook, ka mohuar akuzat e PDK-së, duke aluduar se nuk ka keqpërdorur as edhe një cent.
“Jo 1.1 milion Euro, por as edhe 1.1 Cent”, ka shkruar ajo.