Opozita i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili mbrëmë i ka kritikuar partitë opozitare për shtyje të zgjedhjeve nacionale.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë bërë me dije se opozita nuk mund ta dërgon vendin në zgjedhje.
Zyrtarët e këtyre partive politike kanë vlerësuar për gazetën Nacionale se zgjedhjet e reja janë në dorën e kryeministrit Kurtit.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se partia e saj është gati për zgjedhje.
“PDK është gati për zgjedhje, në të gjitha format që parasheh Kushtetuta, qoftë përmes dorëheqjes se Kurtit, qoftë përmes shpërndarjes së Kuvendit, qoftë përmes mocionit të mosbesimit. Le ta sjellë në Kuvend qysh nesër kërkesën për seancë të jashtëzakonshme”, ka thënë Çitaku.
Sipas saj, opozita nuk ka faj që Kurti ka dështuar në qeveri.
“Opozita nuk i ka faj që Kurti është demistifikuar, dhe përveç prodhimit ciklik të krizave dhe tensioneve, ka dështuar në qeverisje. Qytetarët tanë meritojnë më mirë”, është shprehur ajo për gazetën Nacionale.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka deklaruar se kjo partia përgjigjen Kurtit ia ka dhënë në letrën e 14 majit.
“Përgjigjen e kemi dhënë më 14 maj përmes dhe një komunikate për medie”, ka thënë Mustafa për Nacionale.
Edhe shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri, ka komentuar deklaratat e Kurtit.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka vlerësuar se këto deklarata tregojnë se Kurti është në panik.
“Deklaratat e djeshme të kryeministrit Kurti tregojnë se ai është në panik të zgjedhjeve. Ai e dinë se në fushatën e ardhshme zgjedhore që do të nis për pak muaj, nuk ka asnjë projekt që do të mund ta prezantoj tek qytetarët e Kosovës, përveç vazhdimin e mashtrimit me terma tepër abstrakt dhe me asnjë punë konkrete”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kosova qëndron mbrapa vendeve të rajonit në disa fusha.
“Sot Kosova është vendi me ekonominë më të varfër, me pagat më të ulëta në rajon sektorin publik, me pagën më të ulet minimale në sektorin privat. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa sigurime shëndetësore. Në katër anët e Kosovës rrugët janë të bllokuara. Rruga për Podujevë është bërë si rrugë për Kandahar, pothuajse në të njëjtën gjendjen janë edhe rrugët për Mitrovicë, Gjakovë e Gjilan, ndërsa lavdet nuk ndalen. Mirë është që në këta muajt që i kanë mbetur të përfundojë ndonjë rrugë dhe të del me diçka konkrete. Përndryshe është një fjalë popullore që thotë: katuni që shihet nuk do kallauz. Po shihet që ky njeri dhe kabineti i tij janë të pazot me punu diçka të hajrit për vendin”, ka thënë Tahiri.
Çka tha Kurti?
Në 19-vejtorin e themelimit të VV-së, kryeministri Albin Kurti e ka fajësuar opozitën për shtyrjen e zgjedhjeve nacionale.
Para përkrahëseve të tij, ai bëri me dije se opozita nuk mund t`i shtyjë zgjedhjet deri në pafundësi.
“Të dashur aktivistë e miq të Lëvizjes, në vitin 2025 do t’i kemi zgjedhjet e ardhshme lokale përveçse do ta kremtojmë 20 vjetorin e Lëvizje VETËVENDOSJE!, por patjetër do t’i kemi edhe ato parlamentare meqë opozita nuk mund t’i shtyjë pafundësisht. Meqë tash jemi në periudhën e emocioneve futbollistike, dhe të gjithë po shohim me shumë kënaqësi Shqipërinë tonë që i urojmë fitore në Gjermani, më lejoni ta marr një shembull nga futbolli edhe për zgjedhjet që do të jenë në vitin 2025. Le ta marrim si shembull një ekip të suksesshëm futbolli, fjala vjen Ballkanin e Suharekës. Le ta fitojë Vetëvendosja në 2025 edhe kampionatin edhe kupën”, ka thënë Kurti.
Ai ka kërkuar nga strukturat partiake që të mobilizohen për zgjedhjet e ardhshme.
“Kjo kërkon të jemi të gatshëm dhe të përshtatshëm, të guximshëm dhe të disiplinuar, për lojë ekipore por edhe për shkëlqim individual. Jam i sigurt që bashkë me ju, do t´ia dalim. Kosova ka nevojë për zhvillim e ndryshim sa më të shpejtë, për sovranitet e demokraci sa më të fortë, për identitet e bashkim sa më të madh, dhe këtë mision do ta realizojmë vetëm së bashku, me nder e punë, gjithnjë, kudo, të gjithë ne.”, është shprehur Kurti.
Në muajin maj, PDK-ja e kishte filluar një iniciativë për të shpërndarjen Kuvendit të e Kosovës si hap për të çuar vendin në zgjedhje të reja. Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se këtë propozim do ta përkrahte vetëm nëse pajtohen të gjitha partitë opozitare. LDK-ja dhe AAK-ja kishin dal kundër kësaj iniciative. Këto parti kishin vlerësuar se vendin duhet të shkojë në zgjedhje të reja vetëm më dorëheqje të kryeministrit Albin Kurti.