Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër tre personave të dyshuar në rastin e njohur si “KEK”.
Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe dy të tjerë me inicialet, Y.D., dhe I.Z., akuzohen se i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës një dëm të konsiderueshëm prej rreth 37 milionë eurosh.
“Të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, rreth 37 milionë euro duke kryer veprat penale: Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare dhe Ndihmë në Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.”
Ky rast tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për procedurë të mëtutjeshme”, thuhet në njoftim.
Ndaj Krasniqit, edhe në gusht të këtij viti Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Krasniqi ishte liruar nga posti i tij si shef i KEK-ut më 24 prill të këtij viti, pasi ishte arrestuar më 19 prill të vitit të kaluar.